Site icon Telegrafi

Vizita e Kurtit në Sarajevë i shqetëson ministrat e “Republika Srpska”, bojkotojnë mbledhjen e Këshillit të Ministrave

Nënkryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Stasha Kosharac, tha se ministrat nga Republika Srpska nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme të Këshillit të Ministrave, për shkak të mbërritjes së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Sarajevë.

“Fakti është se Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë”, u tha Kosharac gazetarëve, transmeton Telegrafi.

“Kurti është bandit që organizon sulme ndaj popullit serb dhe kishës ortodokse serbe. Dhe si mund ta mirëpresim një njeri të tillë këtu”, shtoi ai.

Ai tha se vendimi për të mos marrë pjesë në seancë është marrë pas konsultimeve të mëngjesit të sotëm në kabinetin e tij, ku morën pjesë ministri i Financave në Këshillin e Ministrave, Srgjan Amigjiiq, zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Goganoviq, zëvendësministri i Punëve Civile, Mariana Mujiq dhe zëvendësministri i Transportit, Ognjen Janjiq.

Kosharac theksoi se politika e Republika Srpska për mosnjohjen e Kosovës është e qartë.

“BeH nuk e njohu Kosovën falë pikëpamjeve të qarta politike të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, institucioneve të Republika Srspkas dhe, përderisa populli serb merr pjesë në institucionet e BeH, Kosova me siguri nuk do të njihet kurrë.” theksoi Kosharac.

Ai vlerësoi se ardhja e Kurtit në Sarajevë ishte një incident politik klasik.

“Është i patolerueshëm dhe ky është një provokim klasik nga Sarajeva, me të cilin Sarajeva tregon se është kundër Republikës Srpska, Serbisë dhe popullit serb. Ata do të mundohen ta tregojnë në mënyra të ndryshme, por është e rëndësishme të jemi të bashkuar rreth politikës së popullit serb”, tha Kosharac, pa shpjeguar se si e ktheu ftesën akademike në një “incident politik”.

Ndryshe Kurti po viziton BeH-në me ftesë të Adil Kulenoviqit, kryetar i organizatës joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version