Funksionarët e qeverisë aktuale nuk dallojnë shumë në krahasim me përbërjen e kaluar qeveritare, sa i përket harxhimeve për ushqim dhe pirje nëpër restorante. Ata akuzojnë dhe kritikojnë qeverinë e kaluar për shuma të mëdha të harxhuara nëpër objektet hotelierike, sidomos nga ana e MPB-së, por edhe tani situata nuk është shumë e ndryshme, njofton Makfaks.
Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim e qeverisë së kaluar, tani është zëvendësuar me Ministrinë e Ekonomisë, e cila për 10 muaj nga formimi i qeverisë ka harxhuar mbi 14 mijë euro për dreka dhe darka në objektet hotelierike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas mjetit të qeverisë për harxhimet e funksionarëve, harxhuesi më i madh është ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili nga një qershori deri tani ka harxhuar mbi 14 mijë euro, prej të cilave 7300 euro në restoranet e huaja që janë në vend, 5100 euro për menze dhe bife në institucione dhe 1500 euro në restoranet jashtë shtetit.
I dyti i cili ka harxhuar më shumë në objektet hotelierike është zv.kryeministri Bujar Osmani, i cili prej 1 qershorit ka harxhuar 13 mijë euro.
Menjëherë pas tij është bashkëpartiaku i tij, i cili tanimë nuk është ministër i Drejtësisë, Bilen Saliji. Ai prej formimit të qeverisë ka harxhuar 12 mijë euro.
Pas tyre vijnë ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, i cili ka harxhuar 9 mijë euro dhe ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski me 7 mijë euro të harxhuara.
Nga ministrat e kësaj qeveria më pak ka harxhuar ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, të cilët deri tani në objekte hotelierike kanë shpenzuar 500 euro./Telegrafi/