Telegrafi

Minierat dhe nafta: Kriza botërore po na falimenton

Kjo është pasqyruar në rënien e kërkesës së blerësve, që deri pak muaj më parë ishte në maksimumet e dekadave të fundit. Ndërkohë, nga ana e tyre, bizneset, kryesisht të huaja apo me kapital të përbashkët, kanë vendosur të "ngrijnë" investimet e mëtejshme në sektorët ku punojnë, pikërisht në momentet kur u duk se eksportet shqiptare po njihnin "pikun" e shumë vjetëve.

"Ruajtëm të njëjtin nivel eksportesh dhe shitjesh të brendshme të naftës bruto, por reduktimi i madh në çmimet e karburanteve ka sjellë uljen e çmimit të shitjes për naftën tonë, si brenda vendit, ashtu dhe për eksport.

Kjo ka pakësuar fondet e parashikuara për riinvestim në Shqipëri". Kështu deklaron drejtori i përgjithshëm i Bankers Petroleum, Bob Petryk, kreu ekzekutiv i kompanisë kanadeze "lider" në tregun e nxjerrjes së naftës.

Ndërkohë, kompania e nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit "Ber Alb" ka ndaluar eksportin në pritje të ofertave me çmim më të leverdishëm. Sipas koordinatorit të shoqërisë, Nazmi Kumanova, "me çmimet që janë sot në bursa, nuk mbulojmë dot as koston".

Industria e kromit ka pësuar rënie që në 6-mujorin e parë të vitit 2008, kur u ndje pakësimi i eksportit për shkak të një bllokimi të importeve nga Kina, vend i cili, tradicionalisht ka qenë importues i madh i këtij minerali nga ekonomia shqiptare, të paktën që prej 40 vjetësh.