Telegrafi

Mini-udhërrëfyesi “Kosova Top 10”

Libri “Kosova Top 10” është një mini-udhërrëfyes që përmban informacione të përmbledhura rreth shtetit të Kosovës, dukë përshkruar të gjitha pikat nga mund të hyhet në shtetin më të ri të botës dhe nga mund të vizitohen 10 atraksionet me të bukura të vendit.

Ky botim do të jetë një udhërrëfyes i mirë për të gjithë turistet që do të vizitojnë Kosovën. Lexuesi mund të gjejë informacione për shtetin më të ri në botë, duke përfshirë informacionet që nga mënyra e ardhjes në Kosovë e deri te gjetja e 10 vendeve më atraktive në Kosovë.

Autori është fokusuar që të përshkruajë një rrugëtim sa më të lehtë për gjithë ata turistë që vizitojnë Kosovën dhe bukuritë e saj natyrore dhe kulturore. Kujdes të veçantë i është kushtuar edhe një harte, e cila gjendet në mes të librit ku janë të shënuara edhe të gjitha këto top-atraksione.

Po ashtu libri është i pasuruar edhe me foto profesionale, që në shikim të parë vizitorit mund t’i jep një imazh të bukur për vendet që mund të vizitohen.

10 atraksionet e përzgjedhura, si vendet më të bukura për t’u frekuentuar janë Brezovica, Kompleksi përkujtimor Adem Jashari, Gryka e Rugovës dhe Boga, qyteti antik i Prizrenit, Shpella e Gadimës, Kalaja e Artanës (Novoberdë), Ujvara e Mirushës, Parku nacional i Germisë, Tyrbja e Sulltan Muratit dhe Bjeshkët e Nemuna.

Libri “Kosova Top 10” ka dalë në shitje, ndërsa është i botuar nga shtëpia botuese “ABS Books”. Libri “Kosova Top 10” është i botuar në dy gjuhë shqip dhe anglisht dhe mund të gjendet në të gjitha pikat e shitjeve të librave. /Telegrafi/