Site icon Telegrafi

Mini maratona humanitare “Vrapo Babadimër” pritet të fillojë më 15 dhjetor në Prishtinë

Edhe këtë vit, do të shënohet edicioni i 9-të i mini maratonës “Vrapo Babadimër” e cila do të mbahet më 15 dhjetor në Prishtinë.

Kjo është një ngjarje humanitare që ka nisur me zemër dhe ka prekur mijëra njerëz.

Organizatori i kësaj nisme, Jusuf Islami tha se kjo iniciativë, e cila kishte filluar qysh në vitin 2016 me vetëm 100 pjesëmarrës, ka arritur të rritet jashtëzakonisht, duke mbledhur vit pas viti mijëra dashamirës.

“Sot, jemi krenarë të presim mbi 6,000 pjesëmarrës, të gjithë të bashkuar nën kostumin e babadimrit për një kauzë që sjell shpresë dhe ngrohtësi.

Që nga fillimi, ideja ka qenë për të organizuar një event unik me karakter human, një ëndërr e cila dikur u përqesh nga disa, por që sot është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme të fundvitit. Pavarësisht sfidave dhe skepticizmit të fillimeve, falënderoj Zotin që më ka dhënë shëndet dhe energji për të mos u ndalur kurrë.

Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e donatorëve – institucioneve të cilët na kanë ndihmuar, qoftë financiarisht, qoftë materialisht – si dhe të vullnetarëve që çdo vit punojnë me përkushtim të madh për ta bërë këtë ngjarje të suksesshme. Një falënderim i veçantë shkon për KFOR-in, të cilët na kanë qëndruar pranë dhe na kanë mbështetur ndër vite, duke e bërë këtë rrugëtim edhe më të fortë dhe të suksesshëm”, ka shkruar Islami në Instagram.

Ai tha se këtë vit, Prishtina do të ndriçohet nga drita e kuqe e babadimrave: “Ndërsa ne do të gëzojmë fëmijët në repartin e hemato-onkologjisë për festat e fundvitit. Ky është qëllimi ynë më i lartë – të shpërndajmë gëzim dhe të japim shpresë për ata që kanë më shumë nevojë”.

Exit mobile version