Site icon Telegrafi

Mini-bibliotekat e kryeqytetit në shënjestër të vandalistëve, kujt po i pengojnë ato?

Me moton “Sill një libër, merr një tjetër”, ka vazhduar hapja e mini-bibliotekave në lagjet e Prishtinës. Vendi i radhës ku u hapën mini bibliotekat, është lagjja Bregu i Diellit, në parkun afër SHFMU “Ismail Qemali” dhe Lagjja e Spitalit, por ato menjëherë kanë qenë cak i vandalistëve, kur njëra prej tyre është sulmuar me gurë dhe i janë thyer dritaret, ndërsa tjetra ka mbetur pa asnjë libër.

Ndaj këtij rasti vandal ka reaguar Organizata Joqeveritare “ETEA”, e cila përmes një reagimi ka bërë të ditur se mini-bibliotekat e këtyre dy lagjeve që u inaguruan më datë 21 nëntor 2019 janë dëmtuar dhe keqpërdorur, përkatësisht njëra është sulmuar me gurë dhe i janë thyer dritaret, ndërsa tjetra ka mbetur pa asnjë libër.

Reagimi i plotë i “ETEA”:

REAGIM
NDAJ SULMIT ME GURË NË MINIBIBLIOTEKËN E “BREGUT TË DIELLIT” DHE NDAJ VJEDHJES SË LIBRAVE NË MINIBIBLIOTEKËN E “LAGJES SË SPITALIT”

Prishtinë, 23 nëntor 2019

Të nderuar qytetarë,

Nga banorët e “Bregut të Diellit” dhe “Lagjes së Spitalit” kemi pranuar njoftime se minibibliotekat e këtyre dy lagjeve që u inaguruan më datë 21 nëntor 2019 janë dëmtuar dhe keqpërdorur, përkatësisht njëra është sulmuar me gurë dhe i janë thyer dritaret, ndërsa tjetra ka mbetur pa asnjë libër.

Nga përvoja e deritanishme kemi kuptuar se minibibliotekat janë në rrezik të lartë në ditët e para dhe kjo duket se vjen nga kurreshtja e tepërt e faktorit njeri, pamundësia e këtij të fundit për ta pranuar të renë dhe paaftësia e pandjeshmëria për t’u kujdesur dhe vlerësuar pronën e përbashkët. Me pak fjalë, derisa minibibliotekat të bëhen pjesë e përditshmërisë sikurse në lagjet “Dardania” dhe “Ulpiana” – ato do të dëmtohen dhe/apo keqpërdoren.

Lexo po ashtu Vazhdojnë hapjet e “mini bibliotekave” në lagjet e Prishtinës

Prandaj, ne tashmë kemi ndërmarrë masat e nevojshme duke njoftuar fillimisht Policinë e Kosovës dhe duke vëzhguar kamerat për ta identifikuar personin/at që kanë bërë këto veprime të pahijshme, me ç’rast do të nisim procedurat e nevojshme juridike.

Rastet në Policinë e Kosovës janë cilësuar si vepra penale: Dëmtim i pronës dhe vjedhje e rëndë.

Pas përfundimit të procedurave juridike, kemi kënqësinë të njoftojmë komunitetin kontributdhënës dhe lexuesit se ne do të organizohemi për ta bërë sa më shpejt rimbushjen me libra të minibibliotekës në “Lagjen e Spitalit” dhe renovimin e minibibliotekës në “Breg të Diellit”.

Shfrytëzojmë rastin të falënderojmë qytetarët e kulturuar që po kujdesen për minibibliotekat, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre që të kontribuojnë në të gjitha aspektet për mirëmbajtjen dhe funksionalizimin e minibibliotekave.

Lexo po ashtu Sulmohet me vezë mini-biblioteka në Prishtinë

Të gjithë jemi të vetëdijshem se lexues ka më pak, por fuqia e dijes është më e madhe se çfardo force tjetër dekonstruktive. Prandaj, siç kemi thënë edhe më parë, minibibliotekat do të ndërtohen. Edhe nëse rrënohen – minibibliotekat do të rindërtohen – derisa rrënuesit të bëhen lexues.

Shihemi së shpejti në hapjen e minibibliotekave në Sheshin “Nëna Terezë”, Lagjen “Qafa”, Taukbahçe, Sheshin “Adem Jashari”, Kampusin Universitar, Lagjen “Arbëria” dhe në Parkun e Qytetit të Komunës së Prishtinës. /Telegrafi/


Exit mobile version