Telegrafi

Minçev ndryshon numrat e balancerit për punësime në institucionet shtetërore, rritet ajo e maqedonasve ulet e shqiptarëve

Janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjetit për punësim sipas përkatësisë etnike në institucionet shtetërore, njoftoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Në llogaritjen e re për punësimet është përfshirë vetëm numri i popullsisë rezidente sipas Regjistrimit të fundit. Llogaritja e mëparshme, në të cilën sipas Minçevit nuk ishte respektuar Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik, është nga viti 2022 kur ministër ishte Admirim Aliti.

“Ndryshimi i përqindjeve të mjetit balancues është bërë ekskluzivisht në përputhje me Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, i cili më parë nuk ishte respektuar. Kjo do të thotë se në llogaritjen e balancuesit si pjesë e planeve vjetore për punësim në institucionet e sektorit publik do të përfshihet vetëm numri i popullsisë rezidente, ndërsa popullsia jorezidente është përjashtuar nga llogaritja e balancuesit,” tha Minçev.

Sipas llogaritjeve të reja në planet vjetore për punësim në institucionet e sektorit publik, përqindjet janë korrigjuar: maqedonasit nga 54.21% në 58.44%, shqiptarët nga 29.52% në 24.30%, turqit nga 3.98% në 3.86%, romët nga 2.34% në 2.53%, serbët nga 1.18% në 1.30% dhe vllehët nga 0.44% në 0.47%.

Minçev tha se në ministrinë e tij kanë arritur rreth 120 plane vjetore për punësim në institucionet e sektorit publik dhe prej tyre vetëm pesë kanë marrë miratim pozitiv, ndërsa të tjerat janë kthyer me vërejtje të cilat institucionet duhet t’i përmbushin dhe t’i harmonizojnë me përqindjet e reja.

Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik, i cili filloi të zbatohet në vitin 2015, parashikon një mekanizëm për shpërndarjen e punësimeve të reja me përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të anëtarëve të komuniteteve, në nivel të secilit nga institucionet e sektorit publik, bazuar në nevojat e vetë institucioneve të shprehura përmes Planeve Vjetore të Punësimit.”