Site icon Telegrafi

Minatorët shkojnë në minierë, por nuk punojnë – nuk janë paguar për qershorin

Miniera "Trepça"

Në punë po shkojnë, por nuk janë duke punuar. Minatorët e Trepçës në “Stan Tergut”, sërish janë duke pritur pagat e muajit të kaluar, e për to, as menaxhmenti nuk kanë një datë se kur do të mund t’i grumbullojnë mjetet për t’i paguar punëtorët.

Heshtja mbretëronte ketë të enjte në hapësirat e minierës së “Stan Tërgut”. Minatorët e Trepçës, tash e dy ditë janë duke shkuar aty, por nuk kanë punuar. Kështu ata i kanë shfaqur pakënaqësitë me problemin kronik, atë të vonesë së pagave.

Drejtori i minierës Shyqyri Sadiku, ka drojë se gjendja në këtë ndërmarrje do të shkojë duke u përkeqësuar, e si shkak përmend edhe marrëveshjen që zhbllokoi grevën disa ditëshe në vitin e kaluar.

“Fatkeqësisht kjo marrëveshje është arritur gojarisht dhe nuk është realizu dhe këto dëme janë të mëdha dhe të pambuluar. Edhe muajin paraprak kemi pas problem deri më 22, punëtoret kanë qenë në greve shkaku i mos ekzekutimit të pagave. Kjo ka sjell humbje,  sikurse të kishinë dal pagat më kohë, ne më prodhim e kishium mbulu pagen e këtij muaji”, ka thënë Sadiku.

Kryetari  Sindikatës së Puntorëve, Ibrahim Jonuzi, thotë se janë refuzohen nga të gjitha instancat në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme.

“Jemi në një rrugë pa zgjidhje, barikadimi i menaxhmentit e i Qeverisë dhe hezitimi për të gjetur një zgjidhje të përhershme e mos të kërkojmë pagën tonë çdo muaj. Kjo është  e turpshme, për ne si ndërmarrje, si qeveri e si ministri,  si krejt, duhet të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Jonuzi.

Një prej pikave të marrëveshjes së nëntorit të vitit të kaluar, përcaktonte datën 10 të çdo muaji si afatin e fundit për ekzekutimin e pagave, por për ato të qershorit, një përgjigje konkrete nuk kanë as në menaxhmentin aktual.

“Sikurse e kemi potencuar në vazhdimësi, Trepça është ndërmarrje prodhuese dhe të hyrat e saj i siguron nga shitja e koncentratit të Plumbit dhe Zinkut, e që fatkeqësisht nuk kemi arrit me forcat tona, andaj edhe deri sa nuk sigurojmë produkte për shitje më çka do i mbulonim pagat, nuk kemi datë se kur do të paguhen pagat”, ka thënë kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti.

Paqëndrueshmëria financiare e gjigantit Trepça, ka rezultuar me telashe të vazhdueshme me mos-realizimin e pagave për punëtorët, e rrjedhimisht në ndërprerje të shpeshta të punës për intervale të ndryshme kohore.

Exit mobile version