Një grup minatorësh ka protestuar jashtë ambienteve të Parlamentit të Shqipërisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre përmes thirrjeve si “Turp” dhe “E paçi haram votën”.
Gjatë kësaj periudhe, brenda Kuvendit po mbahej një seancë plenare, ku u betuan dy deputetët që zëvendësuan Çyrbjan dhe Salianjin.
Në anën tjetër, deputetët e Partisë Demokratike kishin gjithashtu përplasje me Gardën e Republikës, duke e bërë situatën më të tensionuar.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratikë Gazment Bardhi ka njoftuar se ditën e nesërme do të dorëzohet në Kuvend projektligj në lidhje me statusin e minatorëve.
“Nesër dorëzohet zyrtarisht në Kuvend. Kërkesa e protestuesve që kanë disa janë që vijnë para Kuvendit, janë dëgjuar nga PD dhe çdo kërkesë e tyre është përkthyer në projektligj. Besoj që kolegët që kishin komunikim e ata, kanë pasur mundësi t’ua komunikojnë”, u shpreh Bardhi.
Minatorët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me veprime të tjera nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Ata kërkojnë miratimin e statusit të tyre në Kuvend, si dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Minatorët kanë vendosur të presin një periudhë prej dy javësh për një përgjigje nga autoritetet.
Nëse nuk marrin asnjë reagim brenda këtij afati, ata kanë paralajmëruar se do të kalojnë në grevë urie për të shprehur më tej pakënaqësinë e tyre. /Telegrafi/