Site icon Telegrafi

“Minatorët” pretendojnë dy vendet e para dhe Kupën

Me disa ndryshime dhe mungesa në klub, edicionin e ri pranveror “minatorët” do ta nisin të përforcuar me tre nigerianë, derisa pretendojnë Kupën e Kosovës dhe dy vendet e para, pavarësisht diferencës së madhe të pikëve në tabelë.

Gani Sejdiu, trajneri i ri i kësaj skuadre, thotë për KosovaPress se është shumë i kënaqur me gjendjen aktuale dhe punën e përgjithshme në klub.

Ai nuk ka fshehur dëshirën për dy vendet e para në tabelë dhe që skuadra e tij të jetë fituese e kupës së Kosovës, duke thënë se për të arritur një sukses të tillë duhet vetëm angazhim dhe bashkëpunim i mirë. 

“Gjendja momentale është shumë e mirë për arsye se kemi zhvilluar një fazë përgatitore jashtëzakonisht shumë cilësore… një fazë përgatitore kemi kaluar edhe jashtë Kosovës, përkatësisht në Durrës, që na ka shërbyer jashtëzakonisht shumë në komponimin e ekipit. Gjatë gjithë kësaj pune nuk kemi pasur lëndime, shqetësime tjera të cilat zakonisht ndodhin në këto faza përgatitore dhe jam shumë i kënaqur me punën e ekipit gjatë kësaj faze. Ajo që është pak shqetësuese se deri tani është fondi pak i varfër i lojtarëve, gjë që do të plotësohet javën e ardhme kur do të vijnë tre nigerianë të cilët i kemi huazuar nga Skënderbeu, që do ta plotësojnë vakumin e mbetur që ka ndodhur me shkuarjen e disa lojtarëve. Duhet me qenë pak realë, ne fillojmë prej një pozicioni jo shumë të mirë, vendi i gjashtë… tetë pikë diferencë nga vendi i parë është një diferencë goxha e madhe, sidomos kur ajo diferencë është nga Ferronikeli i cili dihet se çfarë skuadre ka, por gjithsesi derisa ekzistojnë llogaritë matematikore, unë mendoj se duhet me pas besim se duhet me arrit gjëra të mëdha, dhe nuk diskutohet se do të jetë kreu i tabelës”, ka thënë Sejdiu.

Tekniku mitrovicas me Trepçën ’89 lakmon daljen në Evropë, në rast se Federata e Futbollit të Kosovës do të pranohet në UEFA. Sejdiu është i bindur se skuadra e tij do të arrijë të jetë në mesin e dy skuadrave të para, pozita këto që çojnë në Evropë.

“Tash jemi në një vit kur pretendohet se do të na pranojnë në arenën ndërkombëtare, kështu që vendi i parë, i dytë, por edhe fituesi i kupës do të jenë pjesëmarrës në garat evropiane, që do të thotë shumë si në aspektin financiar, por edhe në çdo aspekt. Do t’i ndjekim dy vendet e para pavarësisht mungesës që kemi të pikëve, por edhe nëse kalojmë sot për Kupë kundër Lirisë, këtu kemi gjasa më të mëdha. Unë besoj se me punën që kanë bërë lojtarët dhe me pak fat, mendoj se mundemi me arritë… Është me rëndësi shumë që lojtarët e kanë mirëpritur ardhjen time dhe besoj se janë shumë të kënaqur deri tani me bashkëpunimin mes meje dhe tyre. Vetëm me një bashkëpunim të ndërsjelltë sukseset vijnë, sepse këto janë faktorët kyç, do të thotë një harmoni e mirë, një grup homogjen, duke filluar prej kryesisë e deri tek punëtori i fundit. Mendoj se kjo është një hierarki e cila nëse funksionon mirë atëherë edhe rezultatet e klubit pa dyshim se do të jenë prezentë” , ka theksuar ai.

Edhe kapiteni i kësaj skuadre Shpëtim Idrizi, ka folur për atmosferën e mirë në klub, sidomos me ardhjen e trajnerit të ri. Sipas tij, synim i skuadrës do të jetë titulli i kampionit, por edhe kupa e Kosovës.
“Me ardhjen e trajnerit Gani Sejdiu mbretëron një atmosferë e mirë, do të thotë është një frymë krejt ndryshe, shpresojmë të vazhdojmë me këtë atmosferë me këtë ritëm e cila na ka përcjellë gjatë kësaj faze përgatitore. Normal synimet tona janë kupa e Kosovës por nuk do ta përjashtojmë titullin e kampionit, pavarësisht se është një diferencë prej tetë pikësh…Kryesia e klubit ka bërë një veprim të qëlluar meqë ka emëruar Gani Sejdiun për trajner, i cili e njeh mjaft mirë skuadrën e Trepçës 89, gjithë lojtarët janë të kënaqur me ardhjen e tij, shpresoj t’i arrimë objektivat e klubi”, tha Idrizi.

Trepça ’89 dje mundi Lirinë më rezultat 1-0, duke u kualifikuar në rrethin e tretë të Kupës së Kosovës. /Telegrafi/ 

 

Exit mobile version