"Minatorët" në çdo element të lojës ishin më të mirë. "Më në fund po na shpaguhet mundi dhe puna. Në këtë ndeshje treguan angazhim dhe karakter të fortë. Shënuam herët dhe edhe pas golit të barazimit u kthyem shpejt duke treguar forcën tonë. Besoj se edhe në të ardhmen do të kemi lojëra si kjo”, tha trajneri i Trepçës’89, Fahredin Duraku. Vendësit kanë nisur rrezikshëm takimin.
Si rezultat në minutën 9’ vjen gëzimi i parë për shikuesit e pranishëm në "Riza Lushta", kur kapiteni Idrizi ekzekuton një goditje nga këndi, duke lëshuar topin shkurt për Babaj, i cili gjuan dhe topi me ndihmën e shtyllës përfundon në rrjetë. Trepça’89 sërish pati raste por dështoi të shënojë dhe kjo e ndëshkoi.
Në minutën 21’ Zhdrella depërton nga e majta harkon bukur për Livorekën, i cili shfrytëzon ngathtësinë e mbrojtjes vendase dhe barazon 1:1. Megjithatë “minatorët" nuk u dekurajuan dhe vazhduan dominimin në terren. Pas disa aksioneve mjaft të bukura nga ana e vendasve dhe një goli të anuluar në minutën 44’ Potoku harkon bukur për Jetullahun, i cili i vetëm nga afro 10 metra shënon për 2:1.
Derisa shikuesit ende festonin golin e Jetullahut, 89-shi shënon edhe golin e tretë përmes Musajt. "Hasëm në një kundërshtar shumë të motivuar për lojë, dhe me cilësi të mëdha. Neve nuk na shkoi asgjë për dore, ndonëse barazuam, por më pas dështuam të rikthehemi në lojë dhe Trepça 89 me meritë shënoi fitore", tha trajneri i Hysit, Fadil Ademi.
Vendasit e nisën furishëm pjesën e dytë. Në minutën 46’ Rexha nga 18 metra gjuan furishëm duke shënuar një eurogol 4:1. Deri në fund “minatorët” ia arritën të shënojnë edhe një herë përmes kapitenit Idrizi për fitoren 5:1. /Zëri/Telegrafi/