Telegrafi

Minatorët marshojnë drejt kryeqytetit

Rreth 500 ish-punëtorë të Trepçës, pensionistë të parakohshëm, janë nisur të mërkurën, këmbë për në Prishtinë, pas një proteste që kanë mbajtur në oborrin e Fabrikës së akumulatorëve. Ata bartin flamuj kombëtarë, amerikanë, të minatorëve si dhe parullat ’Duam bukë, punë dhe larg nga privatizimi i pasurisë kombëtare”.
Para se të niseshin për në Prishtinë, kryetari i sindikatës së pavarur të pensionistëve të parakohshëm të Trepçës, Ramadan Ademi, ka thënë se nuk kishte “lënë derë pa trokitur e as guri pa rrotulluar për të mos ardhur puna deri këtu”.
Ademi ka thënë se dje e ka parë vetë draftligjin për pensionistët e parakohshëm të Trepçës, që, siç tha ai, e ka hartuar një amerikan dhe përfshinë mbi 4200 ish-punëtorë, tani pensionistë të parakohshëm të Trepçës.
“Amerikani e ka kryer punën të hënën. Kemi shtesë, sipas atij projektligji, prej 55 eurove. Ashtu shkruan aty”, tha Ademi, duke kërkuar që të vendosin së bashku për hapat e ardhshëm.
Ai ka thënë se nuk ka mundur të sigurojë autobus për Prishtinë.
“Kemi thënë të sigurojmë autobusat për Prishtinë, por nuk kemi mundur”, ka sqaruar ai para punëtorëve, që manifestonin shenja revolte.
Kryesindikalisti ka thënë se pasi e kanë paraqitur tubimin e sotëm si protestë, mund të shkojnë për Prishtinë, por ka kërkuar që t’i përmbahen kërkesave të paraqitura, pasi si tha, nuk shkojnë për të përmbysur shtetin.
“E kemi lanë shëndetin dhe rininë tonë këtu dhe na po kërkojmë një kafshatë bukë, djersën tonë, nuk po kërkojmë përmbysjen e shtetit. Të gjithë ata që mendojnë të dalin jashtë këtyre çka i kemi aprovuar së bashku, nuk janë me neve”, tha Ademi, duke përjashtuar çdo motiv politik në protestën e tyre.
Ndërkaq kërkesat e këtyre ish-punëtorëve janë artikuluar në katër pikë: Të aprovohet Ligji i punës, të aprovohet Ligji për pensionet, të aprovohet Ligji për sigurimin shëndetësor dhe, deri në aprovimin e këtyre ligjeve, pensionet e pensionistëve të parakohshëm të Trepçës të caktohen në shumë prej 160 euro në muaj .
Aktualisht janë mbi 4200 ish-punëtorë, pensionist të parakohshëm, në tri kategori, disa marrin nga 80 euro, disa nga 50 dhe disa nga 30 euro në muaj.
Në anën tjetër përmes një komunikate, Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të ”Trepçës” e ka thirrur tubimin, duke u bazuar në kërkesat e ish-punëtorëve të këtij kombinati e që kanë të bëjnë me problemet e shumta dhe me pozitën e mjerë sociale –ekonomike të tyre.
Aty theksohet se po përjetojnë diskriminimin e pafund ish-punëtorët e Trepçës nga pushteti dhe qeveria, mjerim që po thellohet nga dita në ditë deri me sofrat boshe, të shumtën edhe pa bukën e gojës për fëmijët e tyre, pa barna, pa veshje e mbathje, si dhe trajtimin çnjerëzor me të cilën ballafaqohen në vazhdimësi edhe 11 vjet pas përfundimit të luftës, si të mos ishin qytetarë të Kosovës .
Në komunikatë thuhet se ish-punëtorët e Trepçës i hedhin poshtë pohimet e Qeverisë se këto të drejta kaq të rëndësishme për punëtorë nuk mund të realizohen në mungesë të ligjeve.
“Nëse qeveria jonë është e paaftë të nxjerrë ligje përkatëse atëherë ta aplikojë ligjin e paraluftës deri në miratimin e ligjit të ri, siç po veprohet me shumë ligje penale të asaj kohe”, thuhet në komunikatë