Telegrafi

“Minatorët e paligjshëm të arit” qëllojnë me armë, për të frikësuar fshatarët autoktonë në veri të Brazilit

Një grup “minatorësh të paligjshëm” të arit qëlluan me armë në një fshat autokton në shtetin Roraima në veri të Brazilit më 10 maj.

Një video e sulmit, e filmuar nga anëtarët e komunitetit Yanomami që jetojnë atje, është prova e asaj që Yanomami kanë thënë për vite me radhë, që ka pasur një rritje të mprehtë të dhunës në të gjithë territorin e tyre që nga ardhja e afër 20,000 “minatorëve të paligjshëm të arit”.

Ndërsa përplasjet vazhdojnë gjatë gjithë javës, organizatat lokale po bëjnë thirrje për një rritje të forcave të sigurisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vendasit e filmuan videon më 10 maj në fshatin Palimiú, e cila është pjesë e komunës Alto Alegre, e vendosur në pjesën veriore të shtetit Roraima.

Video tregon një varkë me motor që kalon një fshat që ndodhet në brigjet e lumit Uraricoera.

Disa të shtëna dëgjohen dhe një numër njerëzish, përfshirë fëmijët, vrapojnë për të kërkuar strehim.

Ditën tjetër, një ekip nga policia federale u dërgua në Palimiq për të hetuar këto përplasje dhe praninë e mundshme të grupeve kriminale midis “minatorëve të arit” që veprojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e Yanomami.

Gjatë kësaj ndërhyrjeje, pati një shkëmbim zjarri midis policisë dhe minatorëve, sipas medias hetimore Amazonia Real.

Që nga viti 2019, gati 20,000 “minatorë ari” kanë hyrë ilegalisht dhe kanë filluar të veprojnë brenda territorit të Yanomami. /Telegrafi/