Telegrafi

Milwaukee Bucks dhe Phoenix Suns marrin fitore të mëdha në udhëtim

Janë zhvilluar ndeshjet e treta në kuadër të ‘Play-Off’-it në elitën e basketbollit amerikan NBA.

Kampioni në fuqi i NBA-së, Milwaukee Bucks ka arritur të marrë një fitore të madhe në fushën e Chicago Bulls, për të kaluar në seri 2-1.

Bucks triumfuan me 30 pikë epërsi, ku rezultati përfundimtar ishte 81:111 në të mirë të tyre.

Allen me 22 pikë e gjashtë kërcime ishte shënuesi më i mirë, derisa Giannis Antetokounmpo shtoi 18 pikë të tjera për fitoren e Bucks.

Fitore të madhe në udhëtim ka marrë edhe finalisti i edicionit të kaluar Phoenix Suns.

Suns triumfuan në udhëtim te New Orleans Pelicans me tri pikë diferencë 111:114 për të kaluar në avantazh 2-1.

Qendra DeAndre Ayton ishte më meritori për këtë fitore me 28 pikë e 17 kërcime, derisa fundori Chris Paul shtoi 28 pikë të tjera e 13 asistime. /Telegrafi/