Milot Rashica ka thënë së fundmi se kualifikimi i Përfaqësueses së Kosovës në Kampionatin Evropian është një ëndërr e gjithë atyre që janë të lidhur me Kosovën.
Ylli i Werder Bremenit, siç bën zakonisht, ka zgjedhur Kosovën për të kaluar pushimet verore.
Derisa po pret të vendoset e ardhmja e tij, Rashicën këto ditë e kemi parë në disa televizione, duke dhënë intervista.
I ftuar në emisionin ‘NIN’ në Klan Kosova, Rashica ka folur gjerë e gjatë rreth karrierës së tij, Werder Bremen dhe Përfaqësueses së Kosovës.
I pyetur nëse kualifikimi i Kosovës në Kampionatin Evropian është ëndrra e tij e madhe, Rashica u përgjigj se ajo është një ëndërr e të gjithëve.
“Kualifikimi në EURO 2020 nuk është vetëm ëndrra ime e madhe, është ëndrra e madhe e të gjithëve”, ka thënë sulmuesi vushtrrias.
Djaloshi nga Vushtrria ka shtuar se atmosfera në ekipin përfaqësues mbetet e mirë, dhe se mezi presin ribashkimin.