Futbollisti i njohur shqiptar, Milot Rashica, është duke qëndruar në vendlindjen e tij gjatë këtyre ditëve.
Ai së bashku me gruan e tij, Belkiz Kera, sollën pak javë më parë për herë të parë djalin e tyre tre muajsh në Kosovë, me ç’rast organizuan edhe një festë të vogël për familjarët.
Sukseset e shumta në arenën e gjelbër dhe fitimet e mira nga ky profesion, duket se i kanë mundësuar futbollistit nga Vushtrria që të bëjë një jetë mjaft të mirë dhe luksoze.
Kësaj radhe, ai ka shprehur dëshirën për të gëzuar prindërit e tij, që gjatë gjithë jetës iu kushtuan rritjes dhe zhvillimit profesional ndaj tij.
Miloti u ka blerë atyre një veturë të re të tipit Range Rover, si dhuratë për përkushtimin e tyre prindëror.
Ka qenë babai i 24-vjeçarit, ai i cili ka publikuar në rrjetin social Facebook disa fotografi të veturës së re, duke falënderuar djalin e tij për këtë dhuratë të veçantë.
“Dhurata çdo herë është e mirë po kur vjen nga djali ka vlerë të madhe. Faleminderit Milot për kujdesin dhe respektin e treguar ndaj prindërve, Allahu të ruajt. RANGE ROVER 00”, ka shkruar babai i futbollistit, Nexhmedin Rashica, në llogarinë e tij personale në Facebook. /Telegrafi/