Në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini është diskutuar për dasmat dhe mënyrat se si organizohen ato në shoqërinë tonë.
Organizatori i emisioneve në RTV 21, Milot Nuraj, dasma e të cilit në rrjetin social Youtube ka arritur një rekord prej rreth 5 milion klikimesh ka thënë se dasma ka pasur shpenzime mjaft të mëdha.
“Shpenzimet kanë kaluar më shumë se 20 mijë euro, por unë jam me fat pasi që shumicën e gjërave i kam bërë në bashkëpunim me miqtë. Për shkak se unë punoj në televizion artistët që kanë performuar në dasmën time i kam miq. Ose mund të them se dizajnerja që i ka punuar vellot për nusen time ka pasur nusen time modele personale dhe interesei ka qenë i dyfishtë për reklamim të vellos”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Nuraj thotë se vetëm njëra nga tri vellot që kishte veshur nusja e tij ka çmimin 10 mijë euro, por thotë se për të ka qenë fat që nusja e tij ka qenë shoqe e dizajneres Vjollca Llapashtica.
Organizatori i emisioneve në RTV 21 ka thënë se kostoja reale e dasmës së tij ka qenë shumë më e madhe se 20 mijë euro.
Miloti është martuar me modelen Alba Hoti në një dasmë që ka zgjatur tri ditë. Në dasmë janë ndërthurur elemente të tradicionales dhe modernes.