Site icon Telegrafi

Miloshi i Çekisë i kërkon falje Gëbelsit serb të Millosheviqit?!

Natyrisht që nuk na befasoi aspak, madje as u emocionuam dhe as u impresionuam nga ndjesa që Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman, ky filorus i deklaruar dhe politikan e shtetar i padinjitet, i kërkoi homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, për bombardimin 78-ditor të Beogradit nga NATO në pranverën e 1999-s?!

Po kush është ky farë Milloshi (pa viq) i Çekisë?

I lindur më 28 shtator 1944 në Kolin, Zemani studioi për Ekonomi në Pragë, në një nga universitetet më të hershme evropiane dhe ishte 24-vjeçar i porsadiplomuar, kur duke u gdhirë 21 gushti i 1968-ës, tanket dhe çizmet e trupave sovjetike dhe të katër vendeve të tjera të Traktatit të Varshavës (Poloni, Hungari, Bullgari, RDGh), nën komandën e mareshalëve Andrej Antonoviq Greçko dhe Ivan Ignatieviq Jakubovskij, pushtuan Çekosllovakinë socialiste, gjithashtu anëtare që nga themelimi në këtë pakt politiko-ushtarak.

Rumania mbajti qëndrim neutral, Kina dhe Jugosllavia e kritikuan, ndërsa Shqipëria e denoncoi botërisht, madje doli nga pakti i Varshavës edhe de jure, se de facto kishte dalë që nga fundi i 1961 kur u prishën marrëdhëniet me BRSS-në.

Në të vërtetë, këto dy akte kanë rëndësinë e tyre, edhe pse diktatori ynë, më shumë se për Shqipërinë, mendonte se i rrezikohej pushteti absolut, si stalinisti i fundit në Evropë.

Pa diskutim, pushtimi ishte një akt shumë i rëndë agresioni ndaj një vendi, pjesë e Kampit Socialist dhe e Paktit të Varshavës, që kryhej nga “vëllezërit” komunistë të të njëjtit kamp dhe të të njëjtit pakt.

Milosh Zeman, tashmë me diplomë universitare, s’kish se si të mos e kuptonte domethënien e këtij invazioni ushtarak, i koduar me emrin “Danubi”, me 250-500 mijë trupa dhe mijëra tanke, autoblinda, avionë dhe helikopterë.

Nuk mund të themi se ishte akt pa precedent, pasi më herët me tanket e Stalinit ishin shtypur revolta antisovjetike në Gjermaninë Lindore dhe Poloni, për të kulmuar me Revolucionin Demokratik Hungarez të Tetorit 1956, që tanket e Nikita Sergejeviq Hrushovit, sipas skenarit të Ambasadorit të tij, Jurij Vladimiroviq Andropov (më pas shef i madh i KGB-së dhe kreu i Partisë e i Shtetit Sovjetik), shtypën dhe e përgjakën egërsisht atë dhe duke arrestuar e ekzekutuar në një vend të fshehtë në Rumani, Snagov, afër Bukureshtit më 16 qershor 1958. Imre Nagin, Kryeministër liberal që paralajmëroi daljen e Hungarisë nga Pakti i Varshavës, i cili kish kërkuar strehim politik në Ambasadën Jugosllave në Budapest, me hyrjen e trupave dhe tankeve sovjetike, por i tradhtuar nga Titoja pas 18 ditësh i qe dorëzuar prej tyre KGB-së.

Por, kjo e Çekosllovakisë ishte shumë më e rëndë, se u realizua mbi bazën e doktrinës së “Sovranitetit të Kufizuar” të Leonid Iliç Brezhnjevit.

Ashtu si në shumë vende të Evropës Perëndimore, veçanërisht me Lëvizjen Studentore të majit 1968, në Francën goliste, era e ndryshimeve dhe e liberalizimit filloi të frynte fuqishëm edhe në Lindje. Çekosllovakia, pas rrëzimit të Antoni Novotnit dhe ardhjes së Aleksandër Dubçekut si numri një i Partisë Komuniste, doli në krye të proceseve liberale të jetës, shoqërisë, ekonomisë së tregut të lirë dhe kulturës, ku Pranvera e Pragës paralajmëronte verë të nxehtë.

Dubçek (1921-1992) ishte sllovak, bir emigrantësh në ShBA që u kthyen në vendin e tyre dhe mbi 15 vite, deri më 1939, jetuan në BRSS, nga ku u rikthyen përfundimisht në Bratislavë.

Kongresi i Shkrimtarëve (1967) dhe gazeta e tyre “Literární Noviny” luajtën rol të madh për zgjimin e ndërgjegjes së popullit, sidomos rinisë e studentëve.

Natyrisht, BRSS brezhnjeviane nuk mund ta kapërdinte lehtë shkëputjen nga tufa të vendeve të ashtuquajtura të “Demokracive Popullore”, ndaj me metodën e kulaçit u përpoq të bënte për vete atë pjesë kundërshtuese të udhëheqjes (që ishin edhe shumicë në Politbyro).

U zhvilluan negociata sovjeto-çekosllovake në Çierna nad Tisou.

Brezhnjevi, Kosigini, Podgorni dhe Susllovi përballë Dubçekut, Svobodës, Çernikut dhe Smrkovskit, por ato dështuan, ndaj udhëheqja sovjetike i “thirri” të arrestuar edhe në Moskë, ku i detyroi të nënshkruanin çka donte Brezhnjevi, por përsëri ata tashmë nuk ishin të besuarit e Kremlinit.

U bë dhe Deklarata e Bratislavës, sipas së cilës udhëheqja çekosllovake zotohej dhe betohej për besnikëri ndaj M-L dhe Internacionalizmit Proletar, ndërsa sovjetikët premtonin të tërhiqnin trupat e mbetura aty që nga Lufta e Dytë Botërore, jashtë kufijve të Çekosllovakisë. Mirëpo, vetëm formalisht se asnjëra palë nuk i qëndroi deklaratës.

Atëherë u kalua te politika e kërbaçit!

U dha urdhri stalinist për pushtim dhe në mëngjesin e 21 gushtit çekosllovakët e panë veten krejt befasisht nën çizmen sovjetike dhe nën zinxhirët e tankeve të tyre!!

Perëndimi foli me gjysmë zëri, ndërsa Amerika ishte e zënë me Luftën në Vietnam dhe bisedimet SALT me vetë sovjetikët për raketat bërthamore…

Edhe pse në befasi e pabesi tipike mes komunistësh, pushtimi nuk kaloi me nënshtrim, përkundrazi, bilanci i jetëve të humbura ishte çuditërisht i barabartë: nga 108 prej të dy krahëve… (ka dhe një shifër tjetër që e çon në 137 numrin e të vrarëve dhe 500 të plagosurit nga çekosllovakët, ndërsa 70 mijë njerëz u larguan në Perëndim).

Në krye të Partisë, e më pas edhe të shtetit, sovjetikët vendosën Gustav Husak (1913-1991), një tjetër sllovak ky me plot ulje-ngritje dhe dënime e falje në jetë e veprimtari.

Ndërkohë, simbol i rezistencës dhe protestës antisovjetike bëhet në 16 janar të 1969 studenti 21-vjeçar Jan Palah, që dogji veten publikisht në sheshin “Wençeslau” të Pragës dhe ndërroi jetë mbas tri ditësh, i pasuar edhe nga tre miq të tij në ditët në vazhdim (Josef Hlavaty, Jan Zajic, Evžen Plocek), si edhe një polak, Ryszard Siwiec, e një ukrainas, Vasyl Makuch.

Në funeralin e tij morën pjesë 600 mijë vetë… Domethënia ishte më se e qartë, mbasi kaq njerëz nuk kishin nderuar as liderin më të njohur komunist të luftës e pasluftës, Klement Gottwald, që vdiq prej rupturës së aortës vetëm pesë ditë pas kthimit nga Moska, mars 1953, ku mori pjesë në funeralin e kryediktatorit Stalin (të tilla vdekje liderësh komunistë lindorë apo perëndimorë, gjatë dhe pas vizitave në BRSS, kanë qenë të shpeshta, ndaj dhe mbeten të dyshimta).

Lëvizja për Liri dhe Demokraci vazhdoi me Kartën “77” (nënshkruar nga 247 intelektualë disidentë, shumica e të cilëve edhe u burgosën) dhe Revolucionin e Kadifenjtë, ku u shqua Waclav Havel, shkrimtar e dramaturg i njohur disident (edhe ky i burgosur politik), i cili u bë më 1989 i pari President Demokrat i Çekosllovakisë postkomuniste.

Tani le të rikthehemi te Milosh Zemani, njeriu që jo pa përkrahjen e Rusisë i ka provuar e shijuar të gjitha funksionet më të larta të politikës dhe shtetit çek, pas ndarjes së Republikës Çekosllovake në dy shtete: Çeki dhe Sllovaki prej 1 janarit 1993.

U bë kryetar i Partisë Socialdemokrate çeke (1993-2001), kryetar Parlamenti (1996-‘98), Kryeministër (1998-2002) dhe President prej 8 marsit 2013

Interesant mbetet fakti që kur NATO dhe ShBA-ja, pas krimeve, masakrave, gjenocidit, përdhunimeve dhe deportimit me forcë të shqiptarëve, vendosën ta bombardojnë Beogradin, ngaqë nuk pranoi të tërhiqej kryekasapi i Ballkanit, Millosheviq, Miloshi tjetër çek, Zemani pra, ishte Kryeministër në Pragë.

Me të drejtë e qesëndis, e ironizon, madje edhe e tall atë një prej liderëve të partisë opozitare TOP 09, teksa deklaron se Milosh Zemani i kërkon falje Milosh Zemanit.

Ai, disa herë, sidomos tani që me sa duket mund të mos rizgjidhet President, ka fyer memorien historike të vendit dhe politikanët e kohës të cilët sipas tij “e kishin bërë në brekë” më 1968, kur u pushtua Çekosllovakia, ndërsa ai vetë “harron” që fill pas pushtimit sovjetik, bëri “trimin” dhe hyri në Partinë Komuniste Çekosllovake, vasale e PKBS-së.

Tani, le t’i kthehemi përuljes së neveritshme të Zemanit, para mysafirit të parapëlqyer të tij Vuçiq në Pragë, i cili, duke imituar mikun e tij shqiptar, Kryeministrin Rama, mburret me gjatësinë dymetërshe dhe peshën 120-kilogramëshe kur do të duhej ta bënte këtë për kapacitetin intelektual individual dhe vizionin si shtetar, për t’ia hequr apo të paktën shpëlarë njollat e gjakut Serbisë millosheviqiane, regjimi stalinist i së cilës, për gati 10 vite, kreu luftërat dhe masakrat më të mëdha në Evropën e Pasluftës së Dytë Botërore.

I rënduar nga mosha, me ekuilibër fizik të diskutueshëm, pavarësisht bastunit ku mbahet, ky dashnor i njohur i alkoolit, ndoshta në respekt të cilësisë së shlivës serbe, dhuratë e mikut Vuçiq, i turbulluar nga avujt e saj, para se t’i kërkonte falje Serbisë për bombardimin nga NATO duhej të kujtohej se kish ftuar Gëbelsin e kryekasapit të Ballkanit, ish-ministër i (dez)informimit dhe propagandës, që kish bërë ç’ishte e mundur, për t’ia fshehur apo transformuar botës të vërtetat tragjike në ish-Jugosllavinë e Millosheviqit, sidomos krimet dhe masakrat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Gazeta konservatore e Pragës “Lidove Noviny” shkruante të mërkurën se:

“Kërkimi i faljes nga Zemani nuk mund të rishkruajë historinë… Askush nuk do të vinte bast me asnjë cent, se kërkimi i faljes do të çojë në një katarsis – njësoj si mund të thuhet për faljen e dikurshme të Waclav Havelit ndaj gjermanëve të dëbuar të Sudeteve”.

Por, ajo që vret më shumë në këtë komedi politike është heshtja e Tiranës zyrtare, e cila nuk e gjeti të arsyeshme as që t’ia kujtonte këtij Presidenti pijetar e honorifik të një vendi të NATO-s, se ai mund t’i kërkojë falje sa herë të dojë Serbisë së Vuçiqit, por shqiptarët kudo ku janë në trojet e tyre, tashmë ndarë me kufij formalë apo në diasporë, nuk do t’ua falin kurrë krimet serbëve dhe Vuçiqit dhe do t’i jenë përjetë mirënjohës NATO-s dhe ShBA-së për rivendosjen e drejtësisë pas dhjetëra dekada padrejtësie ndaj kombit shqiptar!

E ndërkohë që edhe vetë qeveria çeke e z. Babis e kritikoi dhe e injoroi këtë ndjesë absurde, qeveria jonë dhe vetë Rama, në një absurd akoma më të paimagjinueshëm dhe paradoks të papranueshëm, zgjodhën të heshtin turpshëm.

Me sa duket, për këta qenka më e rëndësishme miqësia me “mikun” serb të pazareve sorosiane për copëtimin e Kosovës, ndryshimin e kufijve dhe Minishengenin ballkanik, Aleksandër (Vuçiqin), sesa gjaku i derdhur lumë i shqiptarëve, për liri, pavarësi dhe demokraci siguruar patjetër edhe me kontributin historik të NATO-s dhe SHBA-së.

 

 

Exit mobile version