Site icon Telegrafi

Milo Gjukanoviq sërish kandidohet për president të Malit të Zi

Milo Gjukanoviq do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi.

Vendimi unanim u mor gjatë një mbledhje të kësaj partie, e cila është mbajtur më 24 shkurt.

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë caktuar për 19 mars dhe kandidatët duhet të dorëzojnë aplikimet për të marrë pjesë në zgjedhje deri më 26 shkurt pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Kandidatët për presidencën duhet të marrin mbështetjen e 8101 qytetarëve në shtetin malazez.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri më tani ka konfirmuar kandidaturat e liderit të Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiq dhe deputetit të Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq Stankoviq.

KSHZ ka njoftuar se më 3 mars do të shpallin listën e kandidatëve për president.

Ndryshe, Gjukanoviq ishte kryeministër i Malit të Zi për katër mandate, President i Malit të Zi (1998-2002) dhe ushtrues detyre i ministrit të Brendshëm në vitin 2006.

Pas tërheqjes nga politika në vitin 2010, ai u rizgjodh kryeministër në vitin 2012, ndërsa në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 15 prill 2018 u zgjodh për herë të dytë president i Malit të Zi. /Telegrafi/

Exit mobile version