Në fshatin Milloshevë të komunës së Obiliqit sot u përurua Qendra e Mjekësisë Familjare, donacion nga Kuvajti në bashkëfinancim me Komunën e Obiliqit si dhe në bashkëpunim me organizatën jo qeveritare “Qëndresa Kosovare”.
Përfaqësuesi i Komitetit për Evropë dhe Ballkan, Mahmood Sakar Al Najadi, falënderoi komunën për bashkëpunimin dhe tha se shpreson që do të bashkëpunojnë edhe në projekte të tjera.
Kurse kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi donatorët për financimin e kësaj qendre dhe tha se në këtë qendër do të marrin ndihmë mjekësore rreth 10 mijë banorë të kësaj zone. Ai po ashtu tha se shpreson që në të ardhmen në këtë zone të ndërtohen çerdhe për fëmijë dhe një shesh.
“Ne sot po e gëzojmë një qendër të re të mjekësisë familjare në të cilën do të arrijnë rreth 10 mijë qytetarë të kësaj zone të marrin ndihmën mjekësore. Është mire shfrytëzuar kjo zonë komunale, duke filluar nga xhamia, e cila është ndërtuar në po të njëjtën parcelë, pastaj është ndërtuar fusha sportive, tani e falënderojmë për këtë objekt madhështor, shtëpinë e shëndetit. Shpresojmë që do ta ndërtojmë edhe një çerdhe në të ardhmen, po ashtu edhe një shesh”, ka thënë Gashi.
Kurse doktoresha Zarije Dulatahu, e cila punon në këtë qendër, tha se në objektin e vjetër nuk kishin kushte aq të përshtatshme për punë, ndërsa tregoi se tashmë në objektin e ri kanë më shumë hapësirë, kushte më të mira dhe është shtuar numri i shërbimeve mjekësore.
“Këtu do të jetë mjekësia familjare, do jetë intervenimi, ku do të punojnë dy motra, do të jetë hapja e kartelave që punojmë na që një kohë të gjatë dhe do të ketë shërbim të stomatologjisë, që ka punu edhe në ambulanten e vjetër, po tash do të shtohet edhe shërbimi i laboratorit”, ka thënë Dulatahu.
Në përurimin e kësaj qendre ishte paraparë të merrte pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, megjithatë ai nuk ishte prezent.