Telegrafi

Militantët partiakë presin të futen nëpër borde

Nga muaji korrik, 16 agjenci të pavarura të shtetit presin që bordet e tyre të funksionalizohen ngase shumicës së anëtarëve që kanë qenë pjesë bordeve ka kohë që iu ka skaduar mandati. Edhe pse Qeveria është formuar tash e 1 muaj ende nuk e ka dërguar asnjë propozim në Kuvend për miratim të këtyre anëtarëve në këto borde.

Sipas Agron Demit, nga Instituti GAP, Qeveria do të duhej që të shpallte konkurset për plotësimin e anëtarëve te Bordeve dhe emrat e te përzgjedhurve nga listat e ngushta te kandidateve tani do te duhej te ishin ne Kuvend për aprovim.

“Janë diku rreth 16 institucione te cilat presin qe Bordet e tyre te kompletohen ose te funksionalizohen ngase i tere bordi është jo funksional. Edhe pse për nga statusi juridik, agjencionet e pavarura i raportojnë Kuvendit dhe zgjidhen nga Kuvendi, për shumicën prej tyre procesi i rekrutimit menaxhohet nga ana e Qeverise”, ka thënë Demi për Gazetën Tribuna.

Një zyrtar i lartë i ka thënë Gazetës Tribuna se duke u bazuar në praktikat e më hershme të qeverive, në borde do të futen militant të partive në pushtet.

“Partitë që qeverisin nuk mund t’i akomodojnë të gjithë njerëzit e tyre nëpër ministri, kështu që një pjesë të tyre e dërgojnë nëpër borde”, ka thënë ai.

Por, sipas Agron Demit, anëtarësia e bordeve do të duhej të ishte profesionale dhe e pavarur, andaj çdo tendencë për të manipuluar procesin e emërimeve të bordeve, është jo ligjore dhe rrezikon funksionimin normal te agjencioneve të pavarura, kur dihet se shumë nga këto institucione janë rregullatorë te rëndësishëm te tregut.

Të gjitha bordet presin Kuvendin e Kosovës për t’i votuar emrat e anëtarëve që do t’i dërgojë Qeveria dhe për tu normalizuar situata. Dëmi që i bëhet shtetit në mungesë të funksionimit të këtyre agjencive është i pariparueshëm. /Tribuna/Telegrafi/