Në Kosovë aktualisht janë të regjistruara 11 institucione mikrofinanciare që aktivitetet e tyre kanë ofrimin e kredive të vogla dhe për kategori të caktuara të përjashtuara nga sistemi bankar komercial dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve në vendet e varfra.
Por këto institucione në Kosovë kanë devijuar nga misioni i tyre. Përgjithësisht, synimi kryesor i tyre është zbutja e varfërisë e jo përfitimi. Mirëpo, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), deri në qershor të këtij viti sektori mikrofinanciar ka realizuar profit në vlerë prej 3.9 milionë eurosh, kurse norma mesatare e interesit në kreditë e sektorit mikrofinanciar në qershor të këtij viti u rrit lehtësisht në 22.1 për qind. “Norma e interesit për kreditë ndaj ekonomive familjare u rrit për 0.9 pikë përqindje”, thuhet në raportin e BQK-së.
Ndonëse sipas Ligjit nr. 04/L-093, nenit 3 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, këto institucione aktivitet primar kanë dhënien e kredive për ekonomitë familjare me të hyra të ulëta dhe personat me të hyra të ulëta. “Institucion Mikrofinanciar – person juridik i organizuar ose si OJQ sipas Ligjit për OJQ-të, ose si shoqëri aksionare sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare, aktiviteti primar i të cilit është dhënia e kredive dhe ofrimi i një numri të kufizuar të shërbimeve financiare për mikro dhe subjektet e vogla juridike, ekonomitë familjare me të hyra të ulëta dhe personat me të hyra të ulëta”, thuhet ne nenin 3 të këtij Ligji.
Më 12 prill 2013 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi t’i shpallë jokushtetuese nenet e Ligjit për Banka, Institucione Mikrofinanciare dhe Institucione Financiare Jobankare (Nr. 04/L-093) të cilat e mundësonin transformimin e OJQ-ve mikrofinanciare në shoqëri aksionare.
Në Kosovë, qysh nga viti 1999, OJQ-të mikrofinanciare kanë rritur kapitalin e tyre shumëfish nga kapitali fillestar, kryesisht duke ofruar kredi me përqindje të lartë interesi.
Në raport me këtë çështje, zëvendëskryetarja e parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e institucioneve mikrofinanciar në Kosovë është shqetësuese pasi këto institucione veprojnë si OJQ dhe janë fitimprurëse, por nuk i paguajnë shtetit tatim. “Çështja e sektorit mikrofinanciar është shqetësim tek ne. Ky sektor ka pasur rritje të aktivitetit kredidhënës. Vlera e aseteve të tyre ka arritur në 148.2 milionë euro, çfarë do të thotë se kanë pasur rritje vjetore prej 23.7 përqindësh. Këto institucione që ende veprojnë si OJQ me status të organizatës joprofitabile nuk paguajnë tatim për fitimin e realizuar dhe kanë arritur ta dyfishojnë profitin nga 2.4 në 4.1 milion euro”, ka thënë Hadergjonaj.
Ajo ka shtuar se këto institucione japin kredi, kryesisht për ekonomitë familjare, me normë të lartë të interesit që variojnë deri 21.3 %, duke dominuar kështu tek kategoritë e varfra shoqërore. “Mikrofinancat u japin kredi kryesisht ekonomive familjare me normë shumë të lartë të interesit prej 21.3 përqindësh.
Fushëveprimtaria e këtyre institucioneve ka mbetur e parregulluar, në mungesë të ligjit që rregullon funksionimin e tyre. Është e pakuptueshme mosgatishmëria e institucioneve dhe reagimet e OJQ-ve sa herë merret një nismë për të rregulluar me ligj fushëveprimtarinë e këtyre institucioneve, duke iu dhënë mundësia të vazhdojnë të realizojnë profit dhe të mos paguajnë tatimin, duke vazhduar kështu të dëmtojnë një kategori të varfër të shoqërisë tonë”, është shprehur ajo.
Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa ka pohuar se në Ligjin për bankat dhe institucionet jofinanciare kanë qenë të përfshira edhe institucionet mikrofinanciare dhe se kjo, sipas saj, është kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Tani ka mbetur për t’u rregulluar kjo çështje me ligj të veçantë. Projektligjin mund ta sjellë Qeveria, por mund të jetë nismë edhe e Kuvendit. Në mandatin e kaluar patëm marrë iniciativë që komisioni, në konsultim me BQK-në, të rregullojë këtë çështje me ligj të veçantë, por nuk arritëm të bëjmë diçka konkrete”, ka thënë Hadergjonaj.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Besnik Kada, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se BQK-ja ka iniciuar projektligjin për institucionet financiare jobankare dhe se projektligj tanimë është në konsultime të brendshme qeveritare.
“BQK-ja ka iniciuar projektligjin për institucionet mikrofinanciare dhe institucione financiare jobankare konform kompetencave ligjore që ka, përderisa tatimi në fitimin e tyre rregullohet me ligjet e tjera aplikative të vendit”, ka thënë Kada. Ai ka treguar se projektligji për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare është draftuar nga grupi punues i përcaktuar nga Ministria e Financave dhe si i tillë në fillim të muajit nëntor është përcjellë tek kjo ministri për shqyrtim. “Më tej, pas këtij shqyrtimi ky projektligj është adresuar në konsultime të brendshme qeveritare. Si rrjedhojë, pas kësaj periudhe, respektivisht më 23 nëntor 2017 është lansuar për konsultime publike. Afati për konsultime publike përfundon më 14 dhjetor 2017. Rrjedhimisht, ky projektligj nuk ka bërë dallime në mes të institucioneve mikrofinaciare, respektivisht atyre që paguajnë tatim apo janë të liruara nga tatimi, duke qenë kështu që kjo çështje rregullohet me ligjet e tjera”, ka deklaruar ai.
Kada ka thënë se normat e interesit të këtyre institucioneve përcaktohen në bazë të politikave kreditore dhe kushteve të tregut. “Aktualisht janë të regjistruara 11 institucione mikrofinanciare. Institucionet mikrofinanciare përcaktojnë normat e interesit bazuar në politikat e tyre kreditore dhe në kushtet e tregut”, është shprehur ai.
Profesori universitar i ekonomisë, Fadil Osmani, ka thënë se në harmonizim me Ministrinë e Financave duhet të merren masa ligjore për këto institucione. “Duhet t’u vihet një prag për të kaluar në norma tatimi siç janë bankat, e jo të veprojnë si OJQ, pasi në tilla raste ekziston mundësia e shmangies reale të tatimit në fitim. Prandaj institucionet përgjegjëse do të duhej të dilnin me një qëndrim”, ka thënë Osmani për gazetën “Epoka e re”. Ai ka shtuar se për këto institucione mikrofinanciare duhet të krijohet mundësia e fushëveprimit në atë mënyrë që të mund të monitorohen dhe kontrollohen nga mekanizmat shtetërorë.
Osmani ka thënë normat kaq të larta për kamatën varfërojnë edhe më tutje qytetarët. “Normat kaq të larta të kamatave, pos që varfërojnë qytetarët, krijojnë edhe stres dhe pasiguri si të kredidhënësi ashtu dhe tek kredimarrësi”, ka thënë Osmani. /Epoka e Re/Telegrafi/