Site icon Telegrafi

“Milionerët” e Isa Mustafës

Ministri që ka në dorë fatin e më të varfërve të Kosovës, del të jetë njëri nga zyrtarët më të pasur në kabinetin e kryeministrit, Isa Mustafa.
Shumica e atyre që trokasin në derën e Arban Abrashit, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk kanë kulm mbi kokë, e as të ardhura për kushtet elementare të jetës, ndërsa ai ka deklaruar se posedon pasuri në vlerë prej 600 mijë eurove. Vetëm shtëpia e ministrit, ka vlerën e 200 mijë eurove.

Por, ai nuk është i vetmi zyrtarë i lartë, përkrah kryeministrit Mustafa, që peshon shumë financiarisht.

Jetë luksoze, bën edhe ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni. Ai është pronar i një pasurie prej 502 mijë euro. Shtëpia ku ministri jeton ka vlerën e 350 mijë eurove. Ndërsa Audia që ai vozit kushton 39 mijë euro.

Të gjithë ministrat kanë deklaruar shtëpitë e tyre të shtrenjta, e vozisin vetura luksoze, bashkë me familjarët e tyre, shkruan Gazeta Fjala.

I pasur del të jetë edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli. E tërë pasuria e tij, ka vlerën e 356 mijë eurove. Vetëm shtëpia e tij ka vlerë 120 mijë euro, derisa 140 mijë euro kushtojnë tokat e tij.

Në listën e të pasurve, është edhe ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku. Shtëpia dhe tokat e Zharkut kanë vlerë 337 mijë euro. Edhe kreu i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, duket se ka një jetë të shtrenjtë. Ai ka në pronësi pasurinë prej 326 mijë eurove. Vetëm tokat e tij kanë vlerën e 160 mijë eurove, derisa tri veturat e deklaruara kushtojnë mbi 12 mijë euro.

Hajredin Kuçi nga Ministria e Drejtësisë, ka pasurinë prej gati 300 mijë eurove. 164 mijë euro ka vlerën vetëm shtëpia e tij, derisa shtëpia e vikendit i ka kushtuar Kuçit, 60 mijë euro.

Vetura që ministri i Drejtësisë vozit kushton 15 mijë euro, ndërsa vetura e bashkëshortes 7,500 euro.
Ndërkaq, 241 mijë euro është vlera e pasurisë së Ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar. Shtëpia e Yagcilarit, kushton 110 mijë euro. Derisa, 162 mijë euro janë detyrimet financiare, që Yagcilar duhet të kthej në banka për investimet që ka bërë. Vetëm dhuratat që i ka bërë gruas kanë kushtuar 5 mijë euro.

Valon Murati , nga Ministria e Diasporës, ka në pronësi 168 mijë euro pasuri. Banesa ka vlerën e 130 mijë eurove, derisa vetura që vozit ka vlerën e 19 mijë eurove.

E edhe një ministre femër, nuk duket se qëndron keq me pasurinë që e zotëron. Hykmete Bajrami, e cila udhëheqë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë është pronare e banesës në vlerën prej 180 mijë eurove. Ndërsa shtëpia e Bajramit, ka vlerën e 137 mijë eurove.

Avdullah Hoti nga Ministria e Financave, ka 160 mijë euro pasuri. 128 mijë euro, kanë kushtuar vetëm banesat e tij. E vetura që vozit, ka vlerën e 5,800 euro.

Memli Krasniqi, nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë e Zhvillimit Rural, nuk ka deklaruar ndonjë shtëpi. Por, vetëm apartamenti i ministrit ka vlerën e 100 mijë eurove.
Krasniqi del të jetë adhurues i pikturave. 3,500 euro, ai ka blerë vetëm piktura arti. Derisa biblioteka personale e tij ka vlerën e 10 mijë eurove.

Ndërsa vlera e pasurisë së Blerand Stavilecit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, është 154 mijë euro. Rreth 100 mijë euro është vlera e banesës së tij, ndërsa lokali që ka nën pronësi ka vlerën e 49 mijë euro.

Pasuria e Ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmanit, ka vlerën e 145 mijë eurove, përfshirë shtëpitë, lokalet, e veturën që vozit.

Ndërkaq, 132 mijë euro është vlera e pasurisë së Ministrit të Integrimeve, Bekim Çollaku. Shtëpia e tij ka vlerën e 150 mijë eurove, ndërsa parcelat 86 mijë euro.
Ljubomir Marici, nga Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal, duket se është më i varfëri ndër ministrat e tjerë.

Rreth 116 mijë euro, është pasuria që ka deklaruar. Apartamenti i tij ka vlerën e 29 mijë euro, derisa apartamenti nën pronësi të bashkëshortes, kushton 70 mijë euro. Maric vozit veturën e 10 mijë eurove, ndërsa bashkëshortja e tij të 7 mijë eurove. /Gazeta Fjala/ Telegrafi/

Exit mobile version