Liverpooli është me një këmbë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për sezonin 2017/18 pas fitores ndaj Manchester Cityt në ndeshjen e parë çerekfinale.
Reds e fituan ndeshjen e parë në Anfield me rezultat 3-0, duke mos i lënë mysafirët të gjuajnë as edhe një herë në portë.
City që nga ardhja e Pep Guardiolas ka shpenzuar milionat në mbrojte, sikur klubi anglez të ishte shtet, ata do të kishin shpenzuar në mbrojte më shumë se 52 vende tjera.
Por, as 250 milionë eurot e shpenzuar nuk mund të ndalin Mohamed Salah, ‘Mbreti Egjiptian’ shënoi në minutën e 12-të pas asistimit nga Firmino.
Në minutën e 21-të Alex Oxlade-Chamberlain me një gol të bukur nga distanca i tregoi të gjithëve se kjo do të jetë një nata fantastike për Reds.
Goli i qetësisë u shënua nga Sadio Mane (31′) pas asistimit të bukur nga Salah dhe me rezultatin 3-0 përfunduan 45 minutat e parë.
Në të dytën nuk kishte gola, Liverpool kishte luksin dhe kështu u tërhoqën në mbrojte, kurse City me disa tentime, por që në fund nuk arritën të tundin rrjetën kundërshtare asnjëherë.
Ndeshja e kthimit luhet me 10 prill në Etihad. /Telegrafi/