Është e sigurtë se Republika e Maqedonisë nuk do të mund t’i shfrytëzojë 119,7 milionë euro nga fondet e programit IPA 1, por bëhen të gjitha përpjekjet nga ana e Qeverisë së re që deri në fund të vitit të shfrytëzohen 30 milionë euro, sepse nëse nuk realizohen projektet e parapara në këto mjete ato do të duhet të financohen nga mjetet buxhetore të vitit 2018, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kjo dhe shumë çështje tjera në raportin për shfrytëzimin e fondeve IPA u prezantuan sot në konferencën për shtyp të zv.kryeministrit për çështje evropiane, Bujar Osmani dhe ministrit të financave, Dragan Tevdovski. Sipas tyre, ky raport do të jetë baza kryesore mbi të cilën do të ndërtohet master plan i ri për reforma në sistemin IPA si dhe ndryshimet e përgjithshme në administratën shtetërore për shfrytëzim më efikas të fondeve IPA nëpërmjet përshtatjes ndaj standardeve të BE-së.
“Nga gjithsej 614 milionë euro që Maqedonia i ka pasur në dispozicion nga IPA 1 nga viti 2007 deri në vitin 2013, janë nënshkruar kontrata për shfrytëzimin e 437 milionë euro ose mbi 70 për qind nga shuma e përgjithshme. Pjesa e mbetur, rreth 25 për qind që nuk kanë kaluar në projekte do të kthehen në buxhetin e BE-së”, tha Osmani.
Ndërsa ministri i financave, Tevdovski, theksoi se nga IPA 1 janë nënshkruar kontrata për gjithsej 304,2 milionë euro. Nuk janë shfrytëzuar 119,7 milionë euro. Përqindja më e ulët e shfrytëzimit të fondeve është te programi IPARD, me 33,3 për qind./Telegrafi/