Një rrugë, një mijë probleme. Kështu përkufizohej në vitin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës asfaltimi me gurë vullkanikë i 8 kilometrave të magjistrales Prishtinë-Ferizaj, nga hyrja e Prishtinës deri në Hyrje të Lipjanit.
Investimi prej 1 milion e 300 mijë eurosh vetëm për këtë lloj gurësh në atë kohë, po del të ketë qenë i gabuar, shkruan Gazeta Fjala.
Tani, Qeverisë së Kosovës më shtrenjtë po i kushton ti prishë rrugët që u shtruan pa plan se ti ndërtoi të rejat.
Pagesa, prej mbi 200 mijë euro, në ndarjen e trasesë alternative me mur mbrojtës prej metali, në këtë projekt po hiqet me eskavator.
Ministria e Infrastrukturës, ka ndarë afro 700 mijë euro që i tërë brezi ndarës të largohet përgjatë magjistrales dhe rruga të bëhet me tri korsi.
Njëjtë po veprohet edhe në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, duke quar koston e shpenzimeve të reja në mbi 1 milion euro.
“Investimi në zgjerimin e trasesë së rrugës Prishtinë deri te rrethi i QMI-së do të kushtoj 698,523.94 € Vendosja e mbrojtësve të rrugës të cilat në terminologjinë tonë i quajmë (pahi elastike), në ndërtimin fillestar kanë kushtuar 227,525.20 euro”, ka thënë për Gazetën Fjala, Saranda Jusufi zyrtare për informim në këtë Ministri.
Ndërkaq, për 2.9 kilometra, nga hyrja e Prishtinës deri te rrethrrotullimi në Fushë Kosovë rruga do të kushtojë 633, 761.67 euro.
Se investimet e tilla, është dashur të planifikohen me kohë, mendon edhe njohësi i çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepi.
Sipas Rexhepit, investimi i Ministrisë së Infrastrukturës, është shpenzim i dyfishtë i parasë, derisa vlerëson se të gjitha gjërat janë zhvilluar pa ndonjë plan.
“E mira do të ishte që punët të ishin kryer njëherë e përgjithmonë. Mirëpo, për shumë kohë gjërat janë zhvilluar në mënyrë strike, pa ndonjë plan të qartë dhe me zgjidhje aty për aty. Prandaj, tash ato paraqiten pengesë”, thotë për Gazetën Fjala, eksperti i ekonomisë.
Mirëpo, përkundër kësaj Rexhepi, vlerëson se një intervenim i tillë është i domosdoshëm, për shkak të ndryshimit të kërkesave e standardeve, derisa nuk e mohon se të gjitha punët kanë mundur të parashihen vite më parë.
“Pa dyshim se është shpenzim i dyfishtë i parasë, por tash intervenimi në këtë segment rrugor është i domosdoshëm, meqenëse kanë ndryshuar kërkesat dhe standardet. Mirëpo, që te gjitha kanë mundur të parashihen shumë vite më parë”, ka deklaruar ai.
Përveç zhvillimit të punimeve në zgjerimin e trasesë, në këtë rrugë shpesh është dashur të intervenohet edhe në mbulimin e gropave për shkak të dëmtimeve të asfaltit.
Shoqëria civile dhe njohësit e kësaj fushe kanë kritikuar vazhdimisht Qeverinë e Kosovës, për orientim të buxhetit të shtetit vetëm në projekte infrastrukturore.
Megjithatë, planifikimet tregojnë se këto kritika nuk janë marrë shumë parasysh pavarësisht nevojave për investim në sektorë tjerë.
Të premten gjatë ditës, ministri Lutfi Zharku, ka paralajmëruar se do të bëj edhe prezantimin e projektit të Autostradës Prishtinë- Gjilan- Dheu i Bardhë, për të cilën janë në dispozicion 150 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër ende nuk është siguruar nga Qeveria. /GazetaFjala/Telegrafi/