Telegrafi

Miliona euro nga buxheti shpenzojnë veturat zyrtare

Shpenzimet e mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve nëpër organizata buxhetore në sektorin publik janë në rritje për çdo vit. Madje këto shifra kanë shkuar në miliona euro që paguhen nga taksapaguesit.

Sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), organizatat buxhetore gjatë tri viteve 2011-2013 për këtë kategori kanë shpenzuar hiq më pak se 15,664,172 euro, ose 3% e shpenzimeve për mallra dhe shërbime. ZAP-i ka bërë një studim ku ka analizuar pesë organizata buxhetore të cilat kishin shpenzuar 4,384.155 euro.

Mirëpo, ZAP-i ka evidentuar shumë parregullsi tek organizatat buxhetore sa i përket mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve.

Tek organizatat buxhetore të audituara nga ZAPI si, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Dogana, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe Policia e Kosovës, përveç kësaj të fundit fituesi i kontratës ka rezultuar të jetë më i shtrenjtë se operatori ekonomik i pasuksesshëm edhe pse procesi i vlerësimit të tenderëve e ka radhitur fituesin si më të mirin në momentin e vlerësimit sipas parametrave të përcaktuar në dosjen e tenderit.

“Prej numrit total të artikujve të listuar në dosje të tenderit, gjatë tërë kohës së implementimit të kontratës organizatat buxhetore kanë blerë afërsisht 50% të tyre. Pjesa tjetër e artikujve nuk janë blerë asnjëherë duke treguar se mënyra e vlerësimit të kontratës kishte mangësi të rënda. Ky është edhe shkaku pse tenderuesi fitues rezulton të jetë më i shtrenjtë se tenderuesit e pasuksesshëm. Kjo nuk ishte e dukshme gjatë procesit të tenderimit që përfshinte vlerat e përllogaritura për artikujt që më pas nuk janë blerë”, thuhet në raportin e ZAP-it. /KosovaLive/Telegrafi/