"Është e qartë se çfarëdo shpallje e pavarësisë në radhë të parë u takon shqiptarëve të Kosovës", ka thënë për BBC-në Miliband, i pyetur se kur Londra dëshiron që Kosova ta fitojë pavarësinë.
Miliband tha se liderët e Kosovës kanë thënë se dëshirojnë që të punojnë me bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk presin që qysh nesër të kenë ambasada në gjitha kryeqytetet e botës.
"Kosova është pjesa e fundit e mozaikut jugosllav dhe duhet që të përputhet me pjesët e tjera në Ballkanin Perëndimor për të pasur stabilitet, edhe të sigurisë, si dhe politik, ekonomik dhe shoqëror", tha Miliband.
Sipas fjalëve të tij, Qeveria e Londrës nuk do t’ia njihte të drejtën shumicës shqiptare në Kosovë që të bashkohet me Shqipërinë.
Në pyetjen se përse atëherë u njihet e drejta e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje sa i përket shpalljes së pavarësisë, Miliband qëndrimin e tij e shpjegoi me faktin se Kosova është "rast unik".
"Mendoj se ekziston një status i rëndësishëm unik i tragjedisë së Kosovës. Mendoj në bazë të gjakderdhjes historike e cila ndodhi gjatë viteve nëntëdhjetë dhe në bazë të rezolutës unike të KB me të cilën është themeluar protektorati brenda Kosovës. Andaj mendoj që bëhet fjalë për rastin unik dhe kështu duhet trajtuar, por është e qartë se çdo vendi i takon të vendosë veç e veç nëse do ta njohë deklaratën e ardhshme të shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë", ka thënë për BBC-në, Miliband. /qik/