Site icon Telegrafi

Miliardi i vitit 2010

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, shprehet optimist se në vitin 2010 nuk do të ketë krizë. Sipas tij, arka e shtetit do të forcohet në mot nga të hyrat që Qeveria do t’i sigurojë me dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe me futjen e sektorit privat në KEK dhe PTK.
“Gjithashtu presim të hyra nga investitorët për Kosovën e Re”, thotë Shala.
Ndërkaq, prioritete të Qeverisë për vitin tjetër, sipas tij, janë infrastruktura, arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe zhvillimi i sektorit privat. “Presim rritje ekonomike në vitin 2010”, tha ai.
Megjithatë, kaq optimistë nuk janë komuniteti i biznesit dhe ekonomistët. Kryetari i Odës Ekonomike, Besim Beqaj, nuk shprehet optimist se 2010-a do të jetë vit i një ngritjeje të madhe ekonomike.
“Do të ketë një situatë jo të hovshme të zhvillimit. Kosova me CEFTA-n nuk ka fituar në asnjë moment dhe investimet e huaja kanë qenë të mangëta”, tha Beqaj.
Edhe Agim Shahini nga Aleanca për Biznes, thotë se në vitin që po hyjmë Kosova do të përballet më fort me krizën financiare globale.

Andaj, për të pasur një zhvillim më të shpejtë dhe për të rritur potencialin financiar të ekonomisë se Kosovës, AKB-ja i rekomandon Qeverisë dhe Parlamentit që urgjentisht t’i nxjerrin disa ligje.
Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Flamur Keqa, nuk beson se do të ketë ngritje të performancës ekonomike në vitin tjetër. Sipas tij, më shumë do të jetë vit i zakonshëm, ku ekonomia e Kosovës do të përpiqet për të gjetur një sistem më të qëndrueshëm ekonomik.
“Gjeneratori kryesor i punësimit duhet të jetë sektori privat, i cili ende është i brishtë, jo i konsoliduar, me një informalitet të lartë dhe i cili nuk po kontribuon ende në masën e duhur në shtimin e brutoproduktit vendor”, vlerëson Keqa.
Ai qëndron fuqishëm në idenë e tij për krijimin e një banke zhvillimore apo fondi zhvillimor, i cili do të merrej kryekëput me aspektin zhvillimor.

Ndryshe, sipas ekonomistëve, bazuar në rrethanat aktuale, një rritje ekonomike prej 8 deri 10 për qind do të mund të ndikonte në drejtimin pozitiv të rrjedhës së ngjarjeve ekonomike, por që nuk presin edhe për disa vite në vijim. (gazeta express) 

Exit mobile version