Telegrafi

Miliarderi rus ‘me lidhje spiunazhi’ vdes në një përplasje helikopteri në Francë – pasi një tjetër pasagjer anuloi fluturimin në minutën e fundit

Një miliarder rus, i cili thuhej se kishte lidhje me inteligjencën e jashtme të Moskës, vdiq në një përplasje misterioze helikopteri “pasi një tjetër pasagjer anuloi fluturimin në minutën e fundit”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, biznesmeni Vyacheslav Taran, 53 vjeç, mbeti i vdekur në përplasjen pranë fshatit Eze, pasi u nis nga Lozana, Zvicër.

Dhe në aksidentin e ndodhur në Alpes-Maritimes, në juglindje të Francës, ka humbur jetën edhe një pilot francez 35-vjeçar.

Në bord supozohej të ishte një pasagjer tjetër, por në mënyrë misterioze ia anuluan në minutën e fundit.

Aksidenti ndodhi rreth orës 13:00 të 25 nëntorit, raportoi Monaco Daily News, kur helikopteri me një motor Eurocopter EC130 (H130) i drejtuar nga Monacair u rrëzua pranë Monakos.

Zëvendës Prokurori Publik i Nice ka vizituar vendin e aksidentit dhe ka thënë se nuk mund të përjashtohet faji i palës së tretë.

Ndërsa ambasada ruse në Francë vuri në dukje se përplasja ka ndodhur pranë qytetit të Villefranche-sur-Mer.

Taran ishte themeluesi i platformës së tregtimit dhe investimeve Libertex dhe Forex Club.

Megjithatë, është pretenduar se ai kishte lidhje me inteligjencën e jashtme të Rusisë.

Agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN e përshkroi atë si një “biznesmen kripto-miliarder me lidhje të mundshme me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme Ruse”.

Raporti pretendonte se Taran ishte i lidhur me agjencinë e huaj të spiunazhit SVR dhe ishte përgjegjës për “pastrimin e fondeve ruse përmes një sistemi të operacioneve të kriptomonedhave”.

Ndërkohë kanali rus Telegram pro-luftës Marat Bashirov e titulloi aksidentin si një operacion “pastrimi”.

Taran ishte i martuar me gruan ruse Olga, themeluese e medias Hello Monaco dhe çifti kishte tre fëmijë. /Telegrafi/