Shefi ekzekutiv i Virgin Group, Richard Branson thotë se Britania e Madhe është shumë afër një katastrofe të plotë.
Ai ka kritikuar kryeministren britanike Theresa May që nuk po vepron në dobi të interesave kombëtare dhe vendos partinë përpara vendit.
Në një shkrim, biznesmeni thotë se shumë njerëz që kanë votuan largimin nga Bashkimi Evropian tani kanë ndryshuar mendim.
Branson i cili aktualisht nuk jeton në Britani të Madhe, thotë se populli duhet të ketë një fjalë të fundit.
Javën e kaluar Britanisë së Madhe iu dha dy javë më shumë kohë për të gjetur një zgjidhje për BREXIT-in pas bisedimeve të Theresa May me krerë të Bashkimit Evropian.
Data e daljes së Britanisë së Madhe është vendosur të jetë 29 mars 2019, mirëpo nëse May nuk do të arrijë një marrëveshje me Parlamentin deri javën e ardhshme, data do të shtyhet për në 22 maj, për t’i dhënë kohë për të kaluar legjislacionin e nevojshëm.
Nëse kryeministrja britanike nuk do të pranojë, vendi do të duhet të propozojë një zgjidhje deri më datë 12 prill, të cilën e vlerësojnë drejtuesit e Bashkimit Evropian.
“Në këtë pikë, duket e pamundur që një tjetër propozim për të votuar marrëveshjen e tërheqjes do të fitonte shumicën e mbështetjes parlamentare. Edhe me një afat më të zgjatur për BREXIT-in, ky është një rrezik për Britaninë e Madhe dhe për vetë Bashkimin Evropian. Ky është një moment që do të thellojë krizën kombëtare në vend”, është shprehur Branson, përcjell Telegrafi.
Miliarderi shton se, “duke kufizuar zgjedhjet e anëtarëve të Parlamentit për interesa vetjake, ajo po vendos një bast shumë të rrezikshëm”.
Richard Branson në tre vitet e kaluara ka bërë fushata kundër daljes nga Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo lëvizje do të dëmtojë biznesin. Ai është i shqetësuar për efektet që BREXIT do të ketë te kompanitë dhe në ekonominë e vendit.
Me mijëra vende punë në Britani të Madhe janë shkurtuar dhe me problemet e shitjes në horizont, i bëjnë prodhuesit të reagojnë ndaj kërcënimit të tarifave dhe mungesës së zinxhirit të furnizimit. /Telegrafi/