Pasi pa një “sfidë të bakshishit” në Facebook, miliarderi i zonës së Bostonit, Ernie Boch, vendosi ta çojë atë në nivelin tjetër.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Boch vendosi të linte një bakshish prej 5000 dollarësh pas një vakti prej 157 dollarësh në një restorant deti në plazh, në Salisbury, Massachusetts.
“Kamerierët dhe kamarieret, ata janë njerëz kaq të mirë”, ka thënë Boch për CBS Boston.
Jennifer Navaria, kamerierja që mori bakshishin, shkroi në Facebook se bujaria e Boch bëri “që ajo të pëlqente punën e saj edhe më shumë”.
Navaria i tha CBS Boston se ajo e njohu Boch dhe i pëlqente të shërbente tryezën e tij me katër persona.
Ajo nuk e pa bakshishin, derisa grupi kishte dalë nga restoranti. Por në momentin që e ka parë, ka thënë se ka filluar të dridhej.
Sfida e bakshishit të vitit 2020 u përhap në mediat sociale pasi aktori Donnie Wahlberg la një të tillë prej 2.020 dollarë në Ditën e Vitit të Ri, raportoi CNN.
Megjithatë, shumica e pjesëmarrësve lënë vetëm 20 dollarë bakshish.
Ndryshe, Boch ndërtoi një pasuri miliardë dollarëshe duke drejtuar kompani për shitblerjen e veturave të përdorura dhe të reja në zonën e Bostonit dhe vlerësohet se ka një pasuri neto prej 1.1 miliard dollarë. /Telegrafi/