Telegrafi

Miliardat e diasporës

Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës, thotë se bilanci i dërgesave të emigrantëve kosovarë vitin e kaluar ka arritur në 511.6 milionë euro, apo rreth 6 milionë euro më shumë se në vitin 2009.Dërgesat më të mëdha financiare vijnë nga emigrantët kosovarë në Gjermani, Zvicër, Itali, Slloveni, Suedi, SHBA, Francë, Britani të Madhe, Belgjikë etj.

Ministri i ri për Diasporën, Ibrahim Makolli, thotë se ka një numër të madh të investitorëve nga radhët e diasporës që janë të interesuar të investojnë në Kosovë.
Mirëpo, sipas tij, duhet të shikohen se cilat janë pengesat për investime. ”Duhet të shikojmë se cilat kanë qenë pengesat për investime nga diaspora, a janë politikat, apo burokracia, ndërkaq Ministria e Diasporës do të jetë tërësisht në funksion të këtyre, pavarësisht se çfarë nevoja kanë”, ka thënë Makolli për “Zërin”.

Ai pranon se deri më tani mërgata kosovare është shikuar vetëm si një potencial ekonomik, ndërkaq, siç thotë ai, Kosova duhet ta shikojë diasporën edhe si potencial politik dhe intelektual. ”Kosova ka 1/3 e qytetarëve të vet jashtë vendit dhe kjo nuk guxon të përjashtohet nga proceset politike. Diaspora deri më tani ka dhënë prova që ka potencial dhe është një shtytës i madh politik për zhvillim të vendit”, ka theksuar Makolli.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, thotë se diaspora kosovare nuk sjell investime, nëse, siç thotë ai, një javë apo më shumë pret për një dokument të thjeshtë të udhëtimit. ”Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë urdhëresa të veçanta për diasporën, ku lejet për biznes të bëhen në afat sa më të shpejtë të mundur”, ka pohuar Shatri.

Sipas tij, edhe Kuvendet Komunale duhet të ndajnë zona të veçanta që t’u mundësohet atyre ta sjellin kapitalin në Kosovë, në mënyrë që të ndikohet në zhvillimin ekonomik të vendit. ”Diaspora kosovare ka potencial të fuqishëm financiar për zhvillimin ekonomik të Kosovës, mirëpo një kapital i tillë duhet shfrytëzuar më mirë nga institucionet e Kosovës”, shprehet ai.

Ish-ministri i Ekonomisë, megjithatë, pranon se vetëm diaspora sjell kapital të freskët financiar në Kosovë, ndërsa kjo e fundit eksporton para të gatshme nëpërmjet mallrave të shumta që i importon. /Telegrafi/