Policia e Maqedonisë sot (15 korrik) ka sjellë para gjykatësit hetues afaristin Zoran Mileski, si i akuzuar i dytë për lëndën e ngritur ndaj dy personave që dyshohen për marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për larje parash.
Bojan Jovanovski, apo ndryshe i njohur si “Boki 13” pritet që të sjellet para gjykatësit hetues pas ndalimit në kufirin Bogorodica, mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Siç njoftuan nga Prokuroria, në periudhën prej muajit prill 2018 deri në prill të 2019, ata kanë kërkuar para nga një biznesmen, në mënyrë që përmes një prokurori të cilit nuk iu publikua identiteti, të lehtësojnë procedurën penale që ka qenë ndaj tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në këtë aferë, pritet që hetimet të nxjerrin edhe bashkëpunëtorët tjerë, ku dyshohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të sistemit gjyqësor. /Telegrafi/