Site icon Telegrafi

Miler: Jam i impresionuar nga progresi ekonomik i Maqedonisë

Ambasadori Teri Miler, drejtor i Qendrës për tregti dhe ekonomi në Fondacionin amerikan Heritage është një nga autorët e raportit të publikuar paraprakisht për liritë ekonomike në botë thotë se progresi i Republikës së Maqedonisë në indeksin e tyre është i jashtëzakonshëm, posaçërisht nëse e kemi parasysh se vendi ekonomikisht ecë para edhe krahas krizës politike. Maqedonia u ngjit për 16 vende në raportin më të ri dhe e arriti vendin e 31-të në botë, ndërsa të 18-in në Evropë, me ç’ka u kualifikua në kategorinë kryesisht vende të lira ekonomike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kjo është kohë e vështirë për Maqedoninë, të paktën për përmirësimin e lirisë ekonomike, kur keni krizë politike nëpër të cilat kaloni dhe gjithashtu keni krizë refugjatësh në kufi. Por unë vërtet jam i impresionuar sa punë të mirë kanë kryer Qeveria e Maqedonisë dhe njerëzit. Raporti për Maqedoninë në vitet e fundit është vërtet fenomenal në krahasim me progresin ekonomik me shtetet e tjera në Evropë”, deklaroi Miler për Televizionin e Maqedonisë.

Raporti e plasoi Maqedoninë bindshëm si vend më i lirë ekonomik në rajon, 15-të vende mbi konkurrentin më të afërt nga fqinjësia. Raporti i Heritage vlerëson sa shtetet kanë arritur ta kontrollojnë borxhin e tyre, të sigurojnë tatime të ulëta dhe rregullore konkurruese që të mundësojnë zhvillim të biznesit dhe nëse me këtë rast i respektojnë të drejtat pronësore dhe sundimin e së drejtës, njofton AIM.

Eksperti i fondacionit Heritage paralajmëroi se së shpejti do të vijë në Maqedoni ta prezantojë raportin së afërmi dhe të njoftohet me mënyrën me të cilën politikat ekonomike janë vendosur që të mundësohet nivel më i lartë i lirive ekonomike. /Telegrafi/

Exit mobile version