Dyqind fëmijë të grupmoshave ndërmjet 9-14 vjeç nga e tërë Kosova, janë përfshirë nga e hëna deri në të premten në kampin stërvitor pesëditor të “AC Milan Junior Camp”, i cili këtë vit u mbajt në Ferizaj.
Ky aktivitet sportiv, i cili për herë të tretë u organizua në vendin tonë, synon që të nxjerrë talentë të rinj të futbollit të cilët më pastaj mund të jenë pjesë e ekipit të Milanit, zyrtarët e të cilit kanë thënë se Kosova ka një potencial të fuqishëm të të rinjve të gatshëm për t’u përballë me këtë sfidë.
Të përzgjedhurit e këtij viti nga vëzhguesit e Milanit janë: Holtion Bilalli, Egzon Zhegrova, Muhamet Krasniqi, Dion Selimi dhe Edison Kçiku.
Nga këta të pestë, më së shumti u dallua Edison Kçiku, i cili si duket iu ka lënë përshtypje të madhe përfaqësuesve italianë, si një futbollist me një të ardhme të ndritur. /Telegrafi/