Telegrafi

Milani përshëndetet nga gara për titull

Vendasit shënuan dy gola të hershëm në pjesën e parë të takimit, së pari duke hapur rezultatin me anë të mbrojtësit Cesare Bovo pas nëntë minutash lojë dhe pastaj duke dyfishuar epërsinë me anë të sulmuesit Abel Hernandez pas po aq minutash (18’).

Dhjetë minuta në pjesë të dytë Clarence Seedorf ngushtoi disavantazhin për Milanin pas një asistimi të Ronaldinhos (55’). Por shpresat e rosonerëve për të nxjerrë pikë morën një goditje tjetër kur kapiteni Fabrizio Miccoli shënoi një gol të shkëlqyeshëm pas një asistimi të Fabio Liverani për të rikthyer avantazhin prej dy golash të ekipit vendas (69’).

Me tre pikët e reja Palermo merr pozitën e katërt të tabelës që dërgon në Ligën e Kampionëve duke mbledhur 58 pikë, një më shumë se Sampdoria që nesër do të ketë një ndeshje të vështirë pasi udhëton te Roma në Olimpiko.

Me edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit Milani vazhdon të mbajë pozitën e tretë me 64 pikë, nëntë më pak se Interi duke u eliminuar edhe matematikisht nga gara për titullin e kampionit të Serie A (për shkak të diferencës shumë më pozitive të Interit në gola). /Telegrafi/