Telegrafi

Milani nënshtron Dinamon dhe bën hap të rëndësishëm drejt kualifikimit

(Foto: Twitter/AC Milan)

Milani e ka nëpërkëmbur Dinamo Zagrebin në Stadion Maksimir (4-0) duke i rritur shpresat për një vend në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.

Një harkim të mirë të Sandro Tonalit nga gjuajtja e lirë e shfrytëzoi Matteo Gabbia për ta zhbllokuar rezultatin (39’) dhe ky ishte goli i vetëm në fraksionin e parë.

Pas një angazhimi individual në minutat e para të gjysmës së dytë, Rafael Leao (49’) e dyfishoi epërsinë.

(Foto: Twitter/AC Milan)

Golin e tretë e realizoi Olivier Giroud duke e konvertuar në gol një penallti të akorduar për Rossonerët (59’).

Rezultatin përfundimtar e vendosi Robert Ljubicic, i cili shënoi autogol (69’).

Me këtë fitore, Milani është ngritur në kuotën e shtatë pikëve në Grupin E, një pikë më shumë se Salzburgu, në garën për një vend në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/