Telegrafi

Milani mposht me lehtësi Cagliarin dhe mbyll me fitore sezonin e Serie A

Milan (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Milani ka fituar me rezultat të thellë 3-0 ndeshjen ndaj Cagliarit në kuadër të javës së fundit të sezonit 2019/20 në Serie A.

Rossonerët e kanë mbyllur sezonin e Serie A me fitore dhe pas një forme të lartë të treguar pas rikthimit të futbollit, kanë arritur të sigurojnë një vend që i dërgon në Ligën e Evropës.

Pjesa e parë e ndeshjes ndaj u karakterizua me dominim të Milanit, të cilët arritën të shënojnë edhe një gol, ndërsa humben edhe një penallti.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 11-të dhe ishte Ragnar Klavan, i cili shënoi autogol për 1-0, ndërsa Zlatan Ibrahimovic (44’) u tregua i pasaktë nga pika e bardhë.

Në pjesën e dytë, Milani vazhdoi dominimin dhe lojën e mirë, duke shënuar edhe dy gola tjerë dhe duke siguruar fitoren.

Golat në këtë pjesë u shënuan nga Ibrahimovic (55’) për 2-0 dhe Samu Castillejo (57’) për 3-0.

 

Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa raste nga të dyja skuadrat, por pa arritur të tundet rrjeta dhe Milani fitoi në fund me rezultat 3-0.

Me këtë fitore, Milani mbyll sezonin në vendin e gjashtë me 66 pikë, ndërsa Cagliari përfundoi i 13-ti me 45 pikë. /Telegrafi/