Site icon Telegrafi

Milani mposht Bolognan dhe mban gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampionëve

Milani ka arritur të fitojë ndaj Bolognas me rezultat të ngushtë 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të në Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët përveç rasteve arritën të gjejnë edhe golin.

Të parët që shënuan ishin mysafirët me anë të Rodrigo Palacios (28′), por goli i tij u anulua si i parregullt, ndërsa Suso (37′) shënoi një gol të bukur për 1-0.

Festa e Susos (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë me të dyja skuadrat që krijuan rastet e veta dhe shënuan nga një gol.

Të parët që tundën rrjetën ishin përsëri Rossonerët, të cilët në minutën e 67-të arritën të shënojnë me anë të Fabio Borinit për 2-0.

Bologna u rikthye në lojë pas vetëm gjashtë minutave duke gjetur golin me Mattia Destron, i cili shënoi një gol të bukur për 2-1.

Bolognas nuk i mjaftoi goli i Destros (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Pas këtij goli, Milani mbeti pa një lojtar pasi Lucas Paqueta u ndëshkua me të kuq në minutën e 75-të, por Bologna edhe përkundër se mori lojën në dorë nuk arriti të gjej golin e barazimit dhe ndeshja përfundoi me fitoren 2-1 të vendasve.

Me këtë fitore, Milani e sheh e veten në pozitën e pestë me 59 pikë apo tri më pak se Atalanta e vendit të katërt, ndërsa Bologna renditet e 15-të me 37 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Rossonerët udhëtojnë te Fiorentina, ndërsa Bologna e pret në shtëpi Parman. /Telegrafi/

https://twitter.com/semo33x/status/1125478490646691841

https://twitter.com/semo33x/status/1125491046979395587

 

 

 

Exit mobile version