Telegrafi

Milani i kthehet fitores

Takimi i parë i javës së 24 në Serie A, i zhvilluar në San Siro ndërmjet Milanit dhe Udineses, ka përfunduar me rezultat 3-2 në favor të vendasve.

Klaas-Jan Huntelaar kaloi kuqezinjtë në epërsi pas një krosimi të Ronaldinhos (7’), ndërsa i rikthyeri nga lëndimi, Alexandre Pato dyfishoi rezultatin (39’), ndërsa ishte sërish Dinho asistues.

Pa përfunduar pjesa e parë (45’+1), Antonio Floro Flores ngushtoi epërsinë pas një harkimi të Antonio Di Natales.

Huntelaar u shënua në listën e golashënuesve edhe në pjesën e dytë (57’) duke shënuar golin e tretë të Milanit, pas një topi të kthyer dobët nga Coda, pas goditjes së Ronaldinhos nga gjuajtja e lirë.

Krejt çka bënë mysafirët deri në fund të ndeshjes, ishte një gol i shënuar nga Toto Di Natale (87’) për ta ngushtuar epërsinë në 3-2. /Telegrafi/