Site icon Telegrafi

Milani “goditet” pak para sfidës me Napolin – mungon ylli i ekipit për shkak të gripit

Christian Pulisic i ka shtuar problemet e Milanit për përballjen e mbrëmjes së sotme në Serie A me Napolin, pasi vuan nga simptomat e gripit.

Sipas Sky Sport Italia, Pulisic po lufton me simptomat e gripit dhe po ndihet me ethe, kështu që trajneri Paulo Fonseca nuk dëshiron ta rrezikojë atë në formacionin fillestar.

Është një shqetësim i vërtetë, pasi ylli amerikan ka qenë performuesi i tyre më i mirë deri më tani këtë sezon me shtatë gola dhe tre asistime në 11 paraqitje.

Pulisic duhej të fillonte në rolin e mesfushorit pas sulmuesit, në qendër të një treshe që mbështeste Alvaro Moratan.

Në vend të kësaj, Ruben Loftus-Cheek do të luajë aty , duke sjellë në mesfushën dyshen Youssouf Fofana dhe Yunus Musah.

 

Kuqezinjtë tashmë janë edhe pa Theo Hernandez dhe Tijjani Reijnders që janë pezulluar. /Telegrafi/

Exit mobile version