Site icon Telegrafi

Milani fiton me lehtësi te Venezia dhe merr kreun e tabelës në Serie A

Milani ka fituar me rezultat të pastër 3-0 në udhëtim te Venezia në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të në Serie A.

Rossonerët kanë vazhduar me formë të mirë duke marrë edhe fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe duke rrëmbyer pozitën e parë në Serie A, së paku përkohësisht.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të Milanit, të cilët shpejt gjeten golin e parë dhe krijuan edhe shumë raste deri në pushim.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e dytë dhe ishte Zlatan Ibrahomovic, i cili shënoi nga afërsia për 1-0 pas asistimit të Rafael Leao.

Në pjesën e dytë, Rossonerët përsëri ishin skuadër shumë më e mirë, krijuan shumë dhe shënuan edhe dy gola tjerë për të siguruar fitoren.

Theo Hernandez ishte lojtari kryesor i kuqezinjve në këtë pjesë duke shënuar të dy golat, me të parin për 2-0 që erdhi në minutën e 48-të dhe të dytin për 3-0 që erdhi nga penalltia në minutën e 59-të.

Në minutën e 58-të, Venezia mbeti pa lojtarin Michael Svoboda, i cili u ndëshkua me të kuq pas prekjes në dorë te rasti i penalltisë dhe deri në fund të ndeshjes edhe pse pati shumë raste, portat mbeten të paprekura dhe Milani fitoi 3-0.

Pas kësaj fitore, Milani ngjitet në pozitën e parë me 48 pikë apo dy më shumë se Interi i dyti, por me dy ndeshje më pak, ndërsa Venezia renditet e 16-të me 17 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Rossonerët luajnë në shtëpi ndaj Spezias, ndërsa Venezia e pret Empolin. /Telegrafi/

https://twitter.com/WFTV16/status/1480143327714426884

 

Exit mobile version