Telegrafi

Milani e përshëndet Interin

Balotelli nuk ishte pritur të debutonte, por Massimiliano Allegri i befasoi të gjithë me inkuadrimin e tij në lojë.

Me të filluar takimi, SuperMario lëshoi një mundësi të jashtëzakonshme për gol, duke treguar se ai është në formë të lartë.

Dhe, në minutën e 25-të karrierën e tij me klubin e ri me sukses e filloi sulmuesi italian, i cili shënoi për 1-0.

Edhe në vazhdim të takimit Milani dominoi me raste shënimi, por në minutën e 55-të me ndihmë të Muriel ishte Giampiero Pinzi ai që shënoi për 1-1 dhe barazimin e rezultatit.

Milani bëri presion të lartë deri në fund të takimit dhe El Shaarawy e tregoi klasin e tij, duke nxjerrë në minutën e fundit të takimit një penalti, të cilën e realizoi njeriu i cili kurrë nuk ka dështuar nga pika e bardhë, kush tjetër pos Mario Balotellit për 2-1 dhe rezultatin përfundimtar.

Milani kështu e sheh veten në pozitën e katërt, duke e tejkaluar kështu edhe Interin që ka 40 pikë po aq sa Milani, por ka golaverazh më të dobët.

Kjo fitore e shënon po ashtu edhe rikthimin sensacional në krahasim me rivalin lokal, pasi kujtojmë se pas derbit të parë milanez Milani gjendej në pozitën e 15-të, kurse tani është pranë kualifikimit në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/