Pas më shumë se 65 mijë të pranishmëve në ndeshjen e parë kundër Krajovas, në ndeshjen e kthimit të turit të tretë eliminator të Ligës së Evropës, Milan synon sërish të ketë një stadium të mbushur, edhe përballë Shkëndijës së Tetovës.
Ndeshja është e vlefshme për “playoff”, që të lejon hyrjen në fazën e grupeve të trofeut të dytë më të rëndësishëm evropian të futbollit.
Vetëm pas 2 ditësh shitjesh, kuqezinjtë raportojnë më shumë se 15 mijë bileta të blera.
Milan-Shkëndija do të luhet të enjten e ardhshme, që përkon edhe me mesgushtin e shenjtë të italianëve, raporton Top Channel.
Në kulmin e vapës mbytëse që ka përfshirë gjithë Evropën, milanistët janë të etur për ta parë në fushë skuadrën e tyre për sezonin e ri.
Sigurisht që numri i arritur në ndeshjen ndaj Krajovës është e vështirë të përsëritet, por drejtuesit e klubit duken optimistë.
Ndërkohë, Milani raporton se 14 mijë tifozë kanë rinovuar abonimet e tyre sezonale vetëm gjatë fazës eliminatore të Ligës së Evropës.