Ish-trajneri i Kobe Bryant dhe miku më i mirë i babait të tij, Wayne Slappy, ka thënë se familja e yllit të NBA është duke vuajtur shumë për t’u përballur me zbrazëtinë pas vdekjes së ish-basketbollistit dhe vajzës së tij.
Në një intervistë për DailyMail.com, miku i familjes së Bryant ka folur se si e ka pritur lajmin për vdekjen e legjendës, ndërkohë që ka treguar edhe për situatën e rëndë në familjen e tij.
“Kur hyra në veturë e mora mesazhin. Pastaj fillova të marr telefonatë pas telefonate. U përpoqa t;i telefonoj Jellybean (Joe Bryantit, babait të Kobe), nuk mu përgjigj, ndërsa kjo nuk kishte ndodhur më parë. Qëndrova ulur në vendparkimin e Costco duke qarë për një orë”, ka thënë ai.
Më pas, trajneri 65 vjeçar e ka përshkruar gjendjen jashtëzakonisht të vështirë në familjen e Bryant.
“Mund ta imagjinoni një vrimë të zezë? Është e zbrazët, si mund ta mbushni? Ata janë një familje e lidhur ngushtë. Ai ishte 41 vjeçar dhe ka vdekur edhe vajza e tij në aksident me të”.
“Familjes së tij do t’i mungojë shumë më tepër sesa mund ta imagjinoni”, ka deklaruar miku i familjes, Wayne Slappy.
Kujtojmë që Bryant dhe vajza e tij e dytë, Gianna, e humbën jetën në një aksident me helikopter mëngjesin e të dielës. /Telegrafi/