Site icon Telegrafi

Mikrofinancat nuk zhvilluan ekonominë

Në Kosovë janë 18 institucione mikrofinanciare të cilat në këtë vit kanë norma të interesit në kredi për 21.9 për qind, që është një rënie e lehtë krahasuar me 24.2 % sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, ky numër i institucioneve mikrofinanciare nuk ka luajtur rol në zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e varfërisë në Kosovë për shkak të normave të larta dhe, si rrjedhojë e kësaj, nuk ka pasur kërkesë për produktet e tyre.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), aktualisht janë 18 institucione mikrofinanciare, 13 prej tyre me pronësi të huaj.
Sipas këtyre të dhënave të BQK-së, që nga viti 2012 nuk ka pasur interesim për aplikim të ndonjë institucioni për dhënien e mikrokredive.
Njohësit e çështjeve ekonomike kanë thënë se këto institucione nuk kanë luajtur rol në zhvillimin ekonomik pasi, sipas tyre, kanë operuar me norma të larta të interesit dhe kanë keqpërdorur gjendjen ekonomike në Kosovë.

Besnik Kada nga Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë në BQK ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në Kosovë janë 18 institucione mikrofinanciare, 13 prej tyre janë me pronësi të huaj. “Numri i Institucioneve Mikrofinanciare (IMF) të regjistruara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës është gjithsej 18, prej të cilave me pronësi të huaj janë 13 sosh, ku shumica prej tyre janë prej vendeve të Bashkimit Evropian (7), pasuar nga ShBA (4) etj”, ka thënë Kada.

Referuar raportit të informatave mujore të sistemit financiar të publikuar nga BQK-ja për muajin qershor 2016, norma e interesit në kredi për institucionet mikrofinanciare është 21.9 %, që është një rënie e lehtë krahasuar me 24.2 % sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Marrë në përgjithësi, institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare (IFJB) njihen botërisht si institucione ku shuma mesatare e kredisë është më e vogël se tek bankat, e cila gjë aplikohet edhe në rastin e Kosovës. Nëse flasim në kontekst të shumës, ajo sillet deri në 20 mijë euro. Që prej vitit 2012 nuk ka pasur aplikacione për regjistrimin e institucioneve mikrofinanciare të reja në BQK. Megjithatë, konform legjislacionit në fuqi, BQK-ja shqyrton në detaje çdo kërkesë për hyrje në sistemin financiar të Kosovës, qoftë për IMF-në, IFJB-në, apo edhe ndonjë institucion tjetër.

Drejtori ekzekutiv i Qëndresë për Studime Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se misioni i këtyre institucioneve është dhënia e kredive të vogla dhe të lehta. Mirëpo, sipas tij, këto institucione nuk mund të marrin kurrfarë roli për zhvillim ekonomik dhe zbutjen e papunësisë.

“Duke pasur parasysh se çfarë është norma e interesit tek këto institucione, atëherë njerëzit ngurrojnë të marrin para kredi”, ka thënë Rexhepi.

Edhe njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se institucionet mikrofinanciare nuk kanë luajtur rol në zhvillimin e biznesit për arsye të normave të larta të interesit gjë që, sipas tij, ka ndikuar mos të ketë interesim të klientëve për këto kredi.

“Normat e interesit, përveçse janë shumë të larta, janë edhe të dëmshme për biznesin. Pra, është keqpërdorim i madh i gjendjes ekonomike në të cilën, në pamundësi për alternativa dhe njohuri nga ana e bizneseve, obligohen të përcaktohen shpeshherë edhe për këto institucione financiare”, ka thënë shprehur Lulzim Syla. /Telegrafi/

Exit mobile version