Në Kosovë janë 18 institucione mikrofinanciare të cilat në këtë vit kanë norma të interesit për kredi prej 22.6 për qind, që është një rritje krahasuar me vitin 2016 që ishin 21.3 për qind.
Viti 2017 në sistemin mikrofinanciar u karakterizua edhe me një rritje të konsiderueshme të fitimeve.
Sipas raportit “Raporti mujor i Sistemit Financiar, dhjetor 2017”, publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), shkruan Telegrafi, fitimet e institucioneve u rriten me 3.8 milionë euro.
“Vlera e kredive në fund të muajit dhjetor të vitit 2017 arriti në 144.2 milionë euro. Nga to 92.4 milionë euro ishin nga kreditë për ekonomitë familjare dhe 51.8 milionë euro nga financimi i ndërmarrjeve me kredi”, thuhet në raportin e BQK-së.
Në dhjetor të 2017-së, norma mesatare e interesit në kreditë ndaj ekonomive familjare është zvogëluar në 26.6 për qind nga 37.5 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kurse, mesatarja e interesit në kreditë ndaj ndërmarrjeve në këtë muaj u rrit në 44.2 për qind nga 22.7 për qind që ishte në dhjetor të 2016-së. Pra, rritja vjetore e kredive në fund të dhjetorit të 2017-së ishte 32.4 për qind.
“Të hyra kryesore institucionet mikrofinanciare i kanë nga interesi me vlerë prej 27.3 milionë euro. Shpenzimet e interesit arritën në 6.5 milionë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme dhe ato administrative janë 13.3 milionë euro. Niveli i mbulueshmerisë së kredive joperformuese me provizione është 190.3 për qind”, tregon BQK-ja.
Nga 18 institucione mikrofinanciare, 13 kanë pronësi të huaj. Ato gjithsej i kanë 123 degë me 979 të punësuar. /Telegrafi/