Mikel Arteta e ka pranuar se Arsenalit po i mungon Gabriel Magalhaes pasi ‘Topçinjtë’ lëshuan dy pikë duke luajtur baras me Fulhamin të dielën.
Qendërmbrojtësi brazilian nuk ishte pjesë e ekipit për duelin që u zhvillua në ‘Craven Cottage’, i cili përfundoi me rezultat 1-1 ku pati dramë në fund të ndeshjes.
Gabriel pati vështirësi për shkak të një problemi me gju në javët e fundit, që bëri që ai të mos luante as në fitoren 2-0 ndaj Manchester United.
Kolegët e tij si Riccardo Calafiori, Ben White, Takehiro Tomiyasu dhe Oleksandr Zinchenko po ashtu nuk ishin pjesë e ekipit për ndeshjen me Fulhamin.
Në konferencën pas ndeshjes, Arteta u pyet nëse Arsenalit i mungoi Gabriel dhe tekniku spanjoll u përgjigj shkurtimisht: Po.
Sidoqoftë, Arteta tha se ishte i kënaqur me paraqitjet që bën mbrojtësit e tjerë.
“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e Jakub (Kiwior) ne duhej të ndryshonim si grup i tërë po ashtu”.
“Ne e kishim Jakub aty dhe Jurrien (Timber) në të majtë diçka të cilën nuk e kishim provuar më parë dhe Thomas (Partey) në të djathtë”.
“Jorginho u fut dhe ishte i shkëlqyeshëm. Kjo është, ata nuk ishin të gatshëm dhe ne duhej t’i përgjigjeshim kësaj dhe jam shumë i lumtur me mënyrën se si e bëri këtë skuadra”, përfundoi ai./Telegrafi/