Mikel Arteta ka thënë se Arsenali ka një test ‘shumë të vështirë’ ndaj PSV Eindhoven në raundin e 1/8-tës në Ligën e Kampionëve.
‘Topçinjtë’ kanë fituar gjashtë dhe kanë humbur vetëm një nga tetë ndeshjet e tyre në fazën e grupeve për të siguruar kualifikimin në fazën me eliminim nga vendi i tretë.
Duke regjistruar një rekord si skuadra e dytë me mbrojtjen më të mirë para këtij raundi, të besuarit e Mikel Artetës llogariten në mesin e favoritëve për t’u shpallur kampion.
Mëngjesin e ditës së sotme (e premte) të gjithë sytë ishin të drejtuar në Nyon të Zvicrës, atje ku Arteta dhe ekipi i tij mësuan se do të përballen me PSV Eindhoven për një vend në çerekfinale.
Arsenali ishte i pamposhtur në dy takimet e fazës së grupeve ndaj PSV sezonin e kaluar, duke i mposhtur me rezultat 4-0 në ‘Emirates’, teksa në Holandë luajtën baras 1-1.
“Mirë, ne kemi luajtur ndaj tyre dhe ata janë një ekip vërtetë i mirë, e dimë këtë”.
“Ne e kemi përjetuar atë dhe do të jetë shumë e vështirë, njësoj si kundërshtar tjetër që do mund ta kishim në Ligën e Kampionëve”.
“Ne e dimë se me kë kemi të bëjmë kur jemi në këtë fazë. Çdo skuadër është vërtetë, vërtetë e mirë dhe kur të vjen koha ne do të jemi gati”, ka thënë Arteta.
Arsenali do ta ketë mundësinë që nesër (e shtunë) ta zvogëlojë diferencën me Liverpoolin e vendit të parë në vetëm pesë pikë, në rast fitoreje ndaj West Hamit./Telegrafi/